Lidhje

Rusia dhe Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme


Rusia ka kërcënuar se do të tërhiqet nga Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi, ose INF-ja. Por cilat janë arsyet që e shtynë Moskën të bëjë këtë paralajmërim?

Traktati për Forcat me Rreze të Mesme veprimi u nënshkrua në dhjetor 1987 nga Presidenti amerikan Ronald Reagan dhe udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev. Ai hyri në fuqi në qershor 1988.

Steve Andreasan, ish-ekspert për kontrollin e armëve në Këshillin për Sigurinë Kombëtare, thotë se traktati arriti të eliminonte një numër të madh raketash.

“Traktati eliminoi për Shtetet e Bashkuara dhe pastaj për Bashkimin Sovjetik, sot Rusia të gjitha raketat bërthamore dhe konvencionale të lëshuara nga toka me një rreze të mesme veprimi, që është 500 deri në 5500 kilometra. Në fakt Washingtoni dhe Moska nuk dislokojnë më këto raketa”.

Në maj 1991, të gjitha raketat me rreze të mesme veprimi ishin shkatërruar, gjiuthsej 2,692: 846 nga amerikanët dhe 1846 nga sovjetikë. Traktati ndalonte gjithashtu prodhimin e këtyre raketave.

Por tani zyrtarët rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin kanë shprehur dyshimin nëse pjesëmarrja në këtë traktat është në interesin e sigurisë së Moskës. Zyrtarët ushtarakë rusë kanë arritur deri aty sa të kërcënojnë se do të tërhiqen nga pakti.

Wade Boese i Shoqatës për Kontrollin e Armëve, një firmë e pavarur studimore, thotë se Moska po rivlerëson angazhimin e saj në traktatin e vitit 1987 sepse një numër vendesh fqinjë të Rusisë kanë sisteme raketash me rreze të mesme veprimi.

“Rusët janë të shqetësuar që traktati është detyrues vetëm për Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, kështu fqinjët e saj, si për shembull Kina dhe të tjerë edhe më në Jug si Irani mund të zhvillojnë raketa balistike që Rusia nuk lejohet t’i prodhojë. Kështu Moska thotë se kjo nuk është e drejtë, ky traktat duhet rivlerësuar dhe se asaj mund t’i duhet të tërhiqet prej tij nëse vende të tjera nuk premtojnë se nuk do të përdorin raketa të tilla”.

Zoti Boese thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë rënë dakord që të punojnë që të bindin më shumë vende për t’u anëtarësuar në traktat.

Kërcënimi i Rusisë për t’u tërhequr nga Traktati pason vendimin për t’u tërhequr nga një marrëveshje tjetër kyçe për kontrollin e armëve, Traktati për Forcat Konvencionale në Evropë i vitit 1990 që kufizonte armët e rënda të dislokuara nga NATO-ja dhe Pakti i Varshavës.

Shumë ekspertë, mes së cilëve edhe Marshall Goldman i Universitetit të Harvardit thonë se këto lëvizje të Moskës dhe retorika e e ashpër anti-perëndimore e zyrtarëve të lartë rusë, lë të kuptohet se Moska po bëhet e rreptë përsa i takon politikës së jashtme.

“Po të shohësh disa nga deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë rusë, duket sikur ata thonë se nuk do të pranojnë më çdo gjë që t’u thuhet dhe do ta mbajnë kokën lart. Duket sikur ata thonë se tani është përmbysur situata dhe ata do t’u diktojnë të tjerëve se çfarë të bëjnë pasi për gjithë këto vite u është thënë sesi të sillen”.

Shumë ekspertë besojnë se vendosmëria dje kritikat e Moskës ndaj perëndimit do të vazhdojë në muajt e ardhshëm ndërsa Rusia hyn në fushatën presidenciale për zgjedhjet e 2 marsit, dhe retorika kundër perëndimit është gjithmonë një temë e pëlqyer nga shumë politikanë rusë. //ii

XS
SM
MD
LG