Lidhje

Frid: Zgjidhja e statusit nuk do të presë miratimin e Rusisë


Në një intervistë eksluzive për Zërin e Amerikës, ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried tha se në etapat e ardhëshme, Moska nuk do të jetë faktor në zgjidhjen apo pengimin e procesit të statusit të Kosovës dhe theksoi se ky status do të zgjidhet përmes bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Zëri i Amerikës: Pasi Këshilli i Sigurimit ka shqyrtuar raportin e Trojkës, pa arritur të dalë me një qëndrim unik për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, cili do të jetë hapi i ardhshëm në këtë proces?

Daniel Fried: Më vjen shumë keq që Këshilli i Sigurimit nuk ishte në gjendje të arrinte konsensus, më vjen keq që s’ishim në gjendje ta zgjidhnim këtë çështje përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit verën e kaluar. Por ky është realiteti, nuk mund të kthehemi pas, Kosova nuk do të jetë më kurrë nën sundimin e Beogradit. E vetmja mënyrë që Serbia dhe Kosova të jenë pjesë e të njëjtit komunitet politik, është kur si Serbia dhe Kosova të integrohen në Bashkimin Evropian, dhe kjo do të jetë e ardhmja e dëshiruar. Për të arritur atje, duhet të zgjidhim statusin e Kosovës dhe duhet ta bëjmë këtë pa vonesë. Negociatat kanë marrë fund, ne u përpoqëm, por tani duhet të ecim përpara. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet ta bëjnë këtë së bashku, në bashkërendim me autoritetet e Kosovës dhe synojmë ta bëjmë një gjë të tillë. Më pas duhet t’i zgjasim dorën e bashkëpunimit Serbisë, ta ndihmojmë të gjejë të ardhmen e saj evropiane.

Zëri i Amerikës: A duhet parë e ardhmja evropiane e Serbisë si një kompromis që Beogradi të pranojë zgjidhjen e shpejtë të statusit të Kosovës?

Daniel Fried: Jo! Në një formë të tillë, asnjë nga serbët nuk do ta pranonte. Në fakt, nuk është kompensim. Serbia e humbi Kosovën para shumë kohësh. E humbi në atë periudhë të viteve 1990 kur shtypja u bë aq e rëndë, saqë ishte thjesht e pamundur që të dyja palët të ishin bashkë përsëri. Dhe më në fund e humbi Kosovën, kur filloi luftën, një luftë që nuk mund ta fitonte dhe që atëherë Kosova është qeverisur, në fakt jo edhe aq mirë, nga mekanizmi i OKB-së dhe vetë kjo organizatë e ka pranuar që ka ardhur koha të ecim përpara, kështu që kështu duhet të veprojmë.

Zëri i Amerikës: Si mendoni se ka ndikuar mbështetja e aleates së Beogradit, Rusisë, në qendrimin serb?

Daniel Fried: Unë nuk dua të fajësoj Rusinë për qëndrimin e Serbisë. Ata duhet të marrin përgjegjësinë për qëndrimin e tyre. E di që Serbisë mund të mos i pëlqejë, por fakti është se Jugosllavia u shpërbë për shkak të nacionalizmit dhe pikërisht ky nacionalizëm shkatërroi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe tani kemi arritur në këtë pikë, kur nuk mund t’i bashkojmë më. Kështu që tani duhet t’i ndihmojmë të gjithë të ecin drejt Evropës dhe ky është objektivi ynë.

Zëri i Amerikës: A po ndërmarrin Shtetet e Bashkuara hapa të posaçme diplomatike për të nxitur një angazhim më energjik të Bashkimit Evropian në këtë çështje?

Daniel Fried: Ne jemi vazhdimisht në kontakt me miqtë tanë të Bashkimit Evropian. Kjo nuk është një çështje amerikane. Shtetet e Bashkuara e kanë hartuar politikën e vet në koordinim me evropianët: veçanërisht me Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Italinë. Ne kemi punuar së bashku dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku. Ne jemi të gjithë të vendosur që të zgjidhet çështja e Kosovës dhe po punojmë me autoritetet e Kosovës të cilat kanë mbajtur një qëndrim shumë të mirë. Autoritetet e Kosovës pranuan planin Ahtisaari, që parashikon mbrojtjen e komunitetit serb, çka do të thotë se ata kanë hequr dorë nga ideja e ngushtë nacionaliste ballkanike që ka shkaktuar kaq shumë dëme. Ato kanë pranuar një numër vlerash që janë më shumë evropiane. Ata kanë skicuar një të ardhme për vete, që është ajo që duhet. Dhe ne e mbështesim këtë.

Zëri i Amerikës: A do të bazohet procesi i mëtejshëm në planin Ahtisari? Pra, a do të jetë pavarësia e kushtëzuar objektivi i procesit?

Daniel Fried: Mendoj se është plani më i mirë dhe i vetmi që zgjidh problemet. Vetë serbët hodhën poshtë idenë e një konfederate, ata vetë hodhën poshtë ndarjen, që gjithsesi ishte një ide shumë e keqe. Kështuqë tani kemi planin Ahtisaari. Kosova e ka pranuar. Evropianët e kanë pranuar, është një plan evropian dhe përveç kësaj rusët ndihmuan për ta hartuar atë. Klauzolat më të mira u vendosën në bashkëpunim me rusët dhe shpresoj që rusët të gjejnë një rrugë që ta mbështesin atë. Por sido që të veprojë Rusia, ne Shtetet e Bashkuara, në bashkëpunim me Evropën duhet të ecim përpara.

Zëri i Amerikës: Nëse Rusia nuk e mbështet, ose nuk a pranon në heshtje këtë zgjidhje, sa problematike do të ishte një gjë e tillë?

Daniel Fried: Ne nuk mund t’i mbajmë shpresat aspak tek Rusia, as nuk mund të presim miratimin e saj të heshtur. Do të ishte më mirë të kishim bashkëpunimin e Rusisë, do të ishte një zgjidhje më e qëndrueshme, megjithatë ne duhet të ecim përpara. Edhe kur përballemi me probleme, siç është kundërshtimi aktiv i Rusisë, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, nëse punojnë së bashku dhe nëse kemi bashkëpunimin e udhëheqësve të Kosovës, ne mund të kemi sukses.

Zëri i Amerikës: Kur flitet për një zgjidhje të shpejtë të çështjes së Kosovës, çfarë periudhe kohore nënkuptohet?

Daniel Fried: Kjo çështje nuk do të vazhdojë kështu për një kohë të gjatë. Këtë bisedë nuk do të na duhet ta bëjmë më si sot një vit. Ne do ta zgjidhim këtë çështje shumë, shumë, shumë më herët.

Zëri i Amerikës: Është përmendur mundësia e zgjidhjes brenda këtij dimri. A është ky një afat realist?

Daniel Fried: Po! Është i arsyeshëm, por nuk do të them asnjë datë konkrete.

Zëri i Amerikës: Është thënë se zgjidhja e çështjes së statusit do të marrë udhë pas zgjedhjeve të ardhshme në Serbi. Si mund të ndikojë çështja e Kosovës në procesin zgjedhor në Serbi?

Daniel Fried: Duhet të jemi të kujdesshëm: Askush nuk po thotë që do të presim derisa të bëhen zgjedhjet në Serbi, sepse po e thamë një gjë të tillë, po të themi pa kushte që duhet të mbahen njëherë zgjedhjet në Serbi, ndoshta zgjedhjet nuk do të bëheshin kurrë. Ne duhet të ecim përpara. Por nëse zgjedhjet mbahen shpejt dhe unë mendoj se 20 janari dhe 3 shkurti për raundin e dytë janë data të shpejta, ndoshta presim derisa ato të mbarojnë. Por nuk dua të diskutoj për afate kohore dhe hollësi konkrete. //ii

XS
SM
MD
LG