Lidhje

Pema e gjelbërt në sheshin Rokfeler


Sheshi Rockefeller në Nju Jork është një ndër pikat më të njohura të qytetit dhe një ndër më tërheqëset për turistët. Koha më e ngarkuar e turizmit është periudha e Krishtlindjes, kur një pemë gjigante vendoset në shesh dhe zbukurohet me mijëra drita shumëngjyrëshe. Këtë vit kjo traditë krishtlindjesh ka një element të ri: për herë të parë pema më e famshme e Nju Jorkut do të jetë vërtet “e gjelbër” pasi dritat ushqehen me energji të prodhuar në mënyrë të padëmshme për mjedisin.

Ndezja e përvitshme e dritave të pemës së Krishtlindjes në Sheshin Rockefeller është bërë një traditë e shumëpritur e Nju Jorkut. Këtë radhë, falë magjisë së teknologjisë, kjo traditë ka marrë një karakter të ri, shpjegon David Murbach, menaxher i parkut Rockfeller: "30 mijë llampa të një modeli të ri janë përdorur në këtë pemë. Tani ndriçimi i saj kërkon vetëm 1 të tretën e energjisë që përdorej në të kaluarën për ndriçim. Ndërkaq në tarracë janë vendosur 363 panele diellore për furnizimin e pemës me energji. Panelet furnizojnë rrjetin elektrik që ushqen ndriçimin e pemës".

Llampat e përdorura në këtë pemë ndizen nga lëvizja e elektroneve, por ndryshe nga llampat tradicionale, kërkojnë më pak energji ushqyese pasi nuk çlirojnë shumë nxehtësi, duke i bërë ato më efikase se llampat e mëparshme. Sipas përllogaritjeve të inxhinierëve, energjia që kursehet nga përdorimi i këtyre llampave vetëm në pemën e Sheshit Rockefeller, është e barasvlefshme me energjinë elektrike që harxhon për një muaj një shtëpi e zakonshme në Shtetet e Bashkuara: "Kjo nënkupton pakësim të çlirimit të gazit karbonik, që shkakton ndryshimin e klimës. Por këto llampa në rrjedhën e viteve, do të dalin edhe me kosto të leverdisshme për qytetin". Robert Musil i Universitetit Amerikan në Uashington po shkruan një libër mbi praktikat që ndihmojnë në mbrojtjen e mjedisit. Ai thotë se ndriçimi i pemës në Sheshin Rockefeller është një shembull i përpjekjeve që po bëhen në Nju Jork dhe komunitete të tjera për të ulur shpenzimin e energjisë dhe për të luftuar ngrohjen globale, pa cënuar atmosferën e Krishtlindjes. "Megjithëse qyteti do të marrë pamjen festive të sezonit, njerëzit nuk kanë përse shqetësohen për efektin e pemës mbi ngrohjen globale. Ata mund të festojnë dhe të kursejnë energji njëkohësisht dhe mund ta bëjnë këtë edhe në shtëpi".

Në gjithë Shtetet e Bashkuara miliona amerikanë kanë vënë zbukurimet e Krishtlindjes, disa prej të cilave janë mjaft të ngarkuara. Organizata Bashkimi i Shkencëtarëve të Shqetësuar, e cila përpiqet të nxisë gjetjen e zgjidhjeve të padëmshme për mjedisin, thotë se energjia që përdoret për ndezjen e dritave të Krishtlindjes në Shtetet e Bashkuara krijon ndotje globale të barabartë me gazet që çlirojnë 250 mijë automjete. Por në mbarë vendin duket se njerëzit kanë filluar ta kuptojnë se ka ardhur koha për një qëndrim më të moderuar: "Ka një prirje gjithnjë e më të fuqishme për të çliruar sezonin e festave nga aspekti i konsumerizmit. Kjo çon në kursimin e energjisë dhe lufton njëkohësisht edhe ngrohjen globale".

Prova më e qartë që kjo lëvizje po merr inerci u pa këtë muaj, kur Presidenti Bush mori pjesë në ceremoninë për ndezjen e dritave të pemës së Krishtlindjes në Uashington, e cila ishte ndriçuar nga llampa që kursejnë energji. //rd//

XS
SM
MD
LG