Lidhje

Gerwin Bell:Sfida për Shqipërinë është përmirësimi i situatës energjitike


Zëri i Amerikës: Zoti Bell në se mund të na jepni një tablo të treguesve ekonomikë në Shqipëri për vitin 2007.

Gerwin Bell: 2007-a ishte një vit interesant që u shënua, siç e di çdo shqiptar, nga thatësira e madhe e cila solli shkurtime të energjisë, më shumë se zakonisht, dhe më pak prodhime bujqësore. Këto ishin dy zhvillime të pafavorshme. Megjithatë ekonomia arriti të zhvillohet më shumë sesa në 2006-n kryesisht falë një prodhimi më të mirë, më shumë eksporteve dhe nga aktivitetet e reja në miniera. Nga ana tjetër, ato që i quajmë “supply shocks” ose të “papriturat në ofertë” kryesisht thatësira dhe rritja e çmimit të ushqimeve, ndikoi në çmimet në përgjithësi. Kështu, nga gushti deri muajin e kaluar inflacioni ishte mbi kufirin e mbajtur nga Banka e Shqipërisë. Falë veprimit të shpejtë të Bankës përmes politikave monetare, ky presion inflacionist u mbajt nën kontroll për të mos u përhapur më gjerë. Kështu që mund të them se në përgjithësi ka qënë një vit i mirë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë inflacioni ka qënë i ndjeshëm në Shqipëri sidomos këto muajt e fundit kur Bankës i është dashur të ndërhyjë disa herë duke rritur normat e interesit. A e prisnit ju këtë rritje të inflacionit? Si do të ndikojë rritja e shpenzimeve qeveritare në këtë inflacion?

Gerwin Bell:Inflacioni është rritur në mbarë botën. Në Evropë, guvernatorit të Bankës Qëndrore Evropiane i bëhen të njëjtat pyetje si ato me të cilat përballet guvernatori Fullani - Çfarë po ndodh me çmimet e ushqimeve, çfarë po ndodh me inflacionin. Pra elementet më të shumtë që e sjellin atë kanë ndikime botërore që vijnë nga çmimet e ushqimit. Në rajon ka patur thatësira që pakësuan furnizimet, disa drithëra po shndërrohen tani në biokarbure duke rritur kërkesën. Në përgjithësi kemi parë një rritje të çmimit të ushqimit në të gjithë botën. Por ka një tjetër element që në vende të tjera është më pak i dukshëm por që në Shqipëri është shumë i ndjeshëm – mungesa e energjisë. Shohim që ndërmarrjet blejnë dhe rrisin përdorimin e energjisë e cila është shumë e shtrenjtë dhe ngre çmimin dhe këtë e shohim si një presion tjetër përsa i përket ofertës. Përsa i përket kërkesës, keni të drejtë që përmendni potencialin e shtimit të këtij presioni nga shpenzimet e qeverisë. Këtë vit buxheti ishte i matur dhe nuk i pati këto presione. Gjithashtu qeveria ra dakord ta mbajnë defiçitin e përgjithshëm në 5 presje 2 përqind të GDP-së vitin tjetër që mendoj se është një nivel i matur për të mbajtur nën kontroll presionet nga kërkesa. Meqë jemi tek kërkesa, nuk duhet të nënvlerësojmë presionet që mund të vijnë nga tregu i shtëpive. Ne së bashku me Bankën e Shqipërisë po vëzhgojmë me kujdes rritjen e kreditimit që po rritet me 50 përqind nga viti në vit. Është e qartë se kjo nuk do të vazhdojë pa fund. Duhet të jemi shumë vigjilentë që këto kredi të shtrihen në aktivitete të realizueshme dhe tek huamarrës që mund të paguajnë. Të gjitha këto duhet të merren parasysh kur diskutojmë për inflacionin.

Zëri i Amerikës: Të shqetësuar nga kostoja totale e projektit, FMN-ja kundërshtoi fillimisht me forcë projektin e rrugës Durrës-Kukës. Në misionin e fundit ju folët për rëndësinë e kësaj rruge që do të sjellë përfitime jo vetëm për Shqipërinë por që i krijon Kosovës një dalje në portin shqiptar. A është ky një ndryshim në pozicionin tuaj fillestar apo pranim i një fakti të kryer?

Gerwin Bell: Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Projekti ka tre elementë: Ai është një projekt i mirë. Si FMN, ne jemi institucion monetar dhe nuk dimë shumë për rrugët, ne u referohemi të tjerëve. Aktualisht kolegët tanë në Bankën Botërore thonë që është projekt i mirë, qeveria po ashtu, kështu që nuk kemi arsye të mendojmë ndryshe. Shqetësimi ynë qëndron në koston dhe së dyti në rrezikun fiskal që del nga kontrata e këtij projekti. Projekti u kontraktua jashtë kornizës normale ku do të kishte oferta konkurruese nga shumë burime që do të siguronte çmimin më të ulët dhe do të kishte më shumë kontroll mbi kostot. Ai u kontraktua në një mënyrë tjetër dhe një nga rezultatet është se nuk ka qartësi se sa i shtrenjtë do të jetë ky projekt. Ne diskutuam me qeverinë për të siguruar që projekti të vazhdojë në një mënyrë që të mos vështirësojë aftësitë financuese të buxhetit dhe të mos çojë në një kosto të papërballueshme. Duhet thënë se nuk mund të bëjmë gjithçka menjëherë kështu që më shumë kosto në këtë projekt do të lerë pa realizuar projekte të tjera.

Zëri i Amerikës: A është tani e qartë shifra e këtij projekti?

Gerwin Bell: Është e ende e vështirë të llogaritet dhe disa parashikime janë mjaft të larta. Nuk mund të jap një shifër përfundimtare pasi ato ndryshojnë. Por qeveria thotë se ka mundësinë për të rihartuar pjesë të këtij projekti për ta bërë atë më pak të kushtueshëm sesa është tani.

Zëri i Amerikës: Kriza energjitike ishte padyshim më e rënda në vite. KESHi vuan nga regjimi i tarifave të ulta dhe nga një inefiçencë në faturim dhe arkëtim. FMNja këshillon qeverinë të rrisë çmimet e energjisë që janë nën kosto. Vetëm pak shqiptarë paguajnë faturat me këto çmime. A do ta zgjidhte rritja e çmimit problemin e arkëtimit? Në analizën tuaj, çfarë është më e rëndësishme, ribalancimi i tarifave apo përmirësimi i ark[timit dhe faturimit? Nga duhet ta nisë Shqipëria?

Gerwin Bell: Keni shumë të drejtë që e karakterizoni si të tillë këtë krizë që ka tendecat të bëhet më e vështirë në se nuk merren masa të shpejta. Shkaku kryesor është në fakt arkëtimi që është më i ulti në rajon. Në Shqipëri vetëm 50 përqind e asaj që përdoret paguhet. Në vendet e tjera problematike të rajonit kjo shifër është 75 përqind. Kështu që duhet të bëhet shumë për të rritur arkëtimin. Por edhe në se niveli i arkëtimit do të ishte shumë i mirë, me tarifat e tanishme prapë do të kishte humbje të mëdha. Për 2007ën llogarisim se KESH ka patur humbje prej 20 miliardë lekë të cilat duhet të financohen diku pasi nuk ka para falas. E vetmja rrugë për të mënjanuar këto humbje është të rriten tarifat të paktën tek kostua. Dhe këtë e kemi kërkuar me ngulm.

Zëri i Amerikës: Cili do të jetë hapi tjetër?

Gerwin Bell: Qeveria është duke debatuar. KESH kërkoi të rriten tarifat. Enti regullator bëri deklaratë se do të rrisë çmimet më vonë. Ne e kemi përmendur nevojën e rritjes graduale të çmimeve që në fillim të këtij viti. Po të pritet më gjatë rritja do të duhet të jetë më e lartë. Ne e inkurajojmë qeverinë të veprojë me shpejtësi.

Zëri i Amerikës: Ju do të shkoni përsëri në Shqipëri për të vlerësuar hapat e ndërmarra?

Gerwin Bell: Ne ishim në shtator për të diskutuar buxhetin dhe në nëntor për të bërë një vlerësim më të gjerë. Në atë kohë ramë dakord me qeverinë të na informojë si ka në plan ta mbushë këtë gropë të madhe në financat e KESHit, 20 miliardë lekë. Kështu që ne duam të dimë nga pikëpamja financiare si do të mbulohet kjo. Ne po diskutojmë me qeverinë po ende nuk kemi dëgjuar planin e tyre përfundimtar. Besoj se tani me shqyrtimin e një vendimi nga regullatori gjërat do të ndodhin shpejt dhe po presim përgjigje. Kjo do të na lejojë të përparojmë me planin tonë të punës për rishikimin e katërt të marrëveshjes me Shqipërinë. Shpresojmë që kjo të ndodhë në fund të janarit ose në fillim të shkurtit. Por së pari na duhet ky element i rëndësishëm, si do të mbulohen humbjet e KESHit. Për ta lidhur me pyetjen tuaj, keni të drejtë kur thoni se në thelb ky është një problem arkëtimi. Ne shohim se drejtuesit e KESHit po punojnë në këtë drejtim, por kjo kërkon në të njëjtën kohë investime të reja, për matësa, për transmetues më të mire dhe këto kushtojnë. Kushtojnë mbi 20 miliardë dollarët humbje. I kemi transmetuar Ministrit Bode se nuk mendojmë që buxheti është mënyra më e përshtatshme për t’i kaluar fonde KESHit. KESHi duhet të mbahet me forcat e tij.

Zëri i Amerikës: Qeveria vazhdon të subvensionojë KESHin kur mund të subvencionojë të varfërit që nuk i paguajnë dot faturat…

Gerwin Bell: Është e vërtetë. Është diçka që e kemi diskutuar me qeverinë. Rritja e çmimit të energjisë është diçka që duhet menaxhuar. Duhet menaxhuar nga ana e çmimeve, pasi ato do të rriten bashkë me energjinë dhe për këtë jemi të ndërgjegjshëm dhe kemi besim se Banka e Shqipërisë ka aftësinë dhe instrumentat për ta menaxhuar këtë rritje të ofertës. Kjo ka pasoja edhe tek të varfërit. Ka disa rrugë për ta bërë këtë dhe këto i kemi diskutuar me qeverinë. Një mënyrë është të subvencionohen të varfërit që ishte plani i fundit por që u përball me disa vështirësi në zbatimin e tij. Një mënyrë tjetër mund të jetë ajo që ekspertët e quajnë “tarifa jetike” ku nuk do të ketë rritje për të varfërit por do të ketë rritje më të larta për ata që kanë mundësi të paguajnë. (kh)

XS
SM
MD
LG