Lidhje

Krishtlindjet në Amerikë


Amerikanët e festojnë Krishtlindjen në disa mënyra. Shumë të krishterë shkojnë në kishë një natë përpara festës ose në ditën e Krishtlindjes. Priftërinjtë flasin rreth nevojës për paqe dhe mirëkuptimit në botë. Ky është mesazhi shpirtëror i Krishtljindjes.

Shumë amerikanë të tjerë e kremtojnë atë si një festë të rëndësishme, por jo fetare. Ata vendosin drita të shumëngjyrëshe jashtë shtëpive dhe ajo që i gëzon më shumë është pema e Krishtlindjeve dhe zbukurimi i saj me drita dhe lodra të bukura. Në mbrëmjen e krishtlindjes, ose në mëngjes, familja mblidhet rreth pemës për të hapur dhuratat.

Disa njerëz përshkojnë distanca të gjata për të qenë pranë familjeve për Krishtlindje. Të tjerë shkojnë me pushime në ndonjë vend të ngrohtë. Elizabeth Varela nga qyteti McClean pranë Washingtonit thotë se do të donte të shkonte në Florida me burrin dhe dy djemtë e mitur. Por, thotë ajo, këtë vit ata nuk ndjehen shumë mirë financiarisht prandaj do të qëndrojë në shtëpi për të kursyer.

Në pjesën më të madhe të festimit të Krishtlindjes përfshihen shkëmbimet e dhuratave. Shumë fëmijë besojnë se dhuratat vijnë nga Santa Klausi.

Tradita thotë se Santa është një burrë i shëndoshë dhe i gëzuar, i cili u sjell dhurata fëmijëve në të gjithë botën një natë përpara Krishtlindjes. Disa njerëz i kushtojnë pak vëmendje Santës. Kris Solberg, drejtoreshë e një kopshti të kishës Baptiste në Falls Church, po në rrethinat e Washingtonit, thotë se dëshëron që nxënësit e saj të mendojnë më shumë për lindjen e Jezu Krishtit.

Këtë vit, Santa Klausi është bërë objekt debatesh në Amerikë. Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për problemet e shëndetit, Steven Galson, është shprehur kohët e fundit se një burrë i shëndoshë, siç përshkruhet rëndom Santa, është një shembull i keq për fëmijët. Ai i bëri komentet në një konferncë për mbipeshën te fëmijët. Komentet e tij kanë ngjallur shumë debate pro dhe kundër një Sante të shëndoshë.

Amerikanët vazhdojnë të debatojnë edhe për çështjen se si duhen bërë zbukurimet e Krishtlindjes në ndërtesat qeveritare. Disa thonë se një paraqitje e tillë mund të fyejë njerëz që nuk e kremtojnë këtë festë. Kjo, thonë ata, është shkelje e ligjeve që ndajnë fenë nga shteti. Por, kundërshtarët thonë se Shtetet e Bashkuara janë një vend me shumicë të krishtere, të bazuar në lirinë dhe besimin. Ata thonë se përpjekjet për të kufizuar paraqitjen dhe traditat e lidhura me këtë festë do të ishte një “Luftë kundër Krishtlindjes”.

XS
SM
MD
LG