Lidhje

Francë: Nicolas Sarkozi nuk po i zhgënjen shpresat e mbështetësve


Viti 2007 në Francë lehtësisht mund të quhet viti i Nicolas Sarkozisë. Qëkurse zoti Sarkozi u zgjodh presidenti i Francës, ai është i kudondodhur dhe ai nuk po i zhgënjen shpresat e mbështetësve të tij.

6 maj i 2007. Nikolas Sarkozi, kandidati i Partisë konservatore Bashkimi për një Lëvizje Popullore në pushtet ka fituar zgjedhjet presidenciale, duke mundur rivalen e tij socialiste Segolene Royal me 53% të votave. Gjatë fushatës së tij, z.Sarkozi premtoi jo vetëm ndryshime ne Francë, por dhe një shkëputje nga e kaluara e vendit. Ai i përsëriti premtimet e tij gjatë fjalimit të fitores që mbajti pas shpalljes së rezultateve.

Duke folur përpara mbështetësve të tij që brohorisnin për të, udhëheqësi i ri i Francës tha se vendi i dha atij çdo gjë. Tani është rradha e tij, që t’ja shperbleje Francës.

7 muajt e kaluar në fakt sollën ndryshime, si dhe një ngjyrë të re në politikën Franceze. Zoti Sarkozi ndërtoi një kabinet qeveritar, me përfaqësime mjaft të larmishme, ku përfshihen mjaft gra dhe përfaqësues të pakicave, por dhe anëtarë të së majtës opozitare, ku përfshihet dhe ministri i jashtëm Bernard Kouchner.

Steven Ekovich është ekspert i politikës franceze në Universitetin Amerikan të Parisit.

“Për momentin, ai po shpalos imazhin e një presidenti dinamik dhe të ri. Duhet të presim që të shohim nëse Franca do të lodhet shpejt me këtë lloj energjie. Por në këtë rast kemi një dallim të dukshëm nga presidenti paraardhës i cili nuk ishte fare energjik”.

Kur bëhet fjalë për çështje të brendshme, thotë Frederic Micheau, një analist në një agjensi sondazhesh në Paris, presidenti francez ka sukses.

Zoti Micheau thotë se Presidenti Sarkozi i ka mbajtur premtimet e fushatës: ai kontribuoi për një traktat të ri më të thjeshtëzuar të Bashkimit Europian, ka thjeshtëzuar ligjet e emigracionit, ka reformuar universitetet dhe pensionet me privilegje për disa kategori punonjësish në Francë.

Por jo të gjitha ndryshimet janë popullore. Plani i reformës së pensioneve hodhi qindra dhe mijëra punonjës francez në grevë në muajin Nëntor, dhe studentët ishin të pakënaqur pasi reformat e propozuara bllokuan një sërë universitetesh në Francë. Kritikët gjithashtu e kanë goditur kufizimet e ligjit të emigracionit të kaluara nga qeveria e Sarkozisë.

Në fakt, Stephane Le Foll, një deputet socialist në Parlamentin Europian dhe drejtori i kabinetit të kryetarit të Partisë Socialiste Holland, thotë se nuk ka asnjë arritje të mirë tek performanca e z.Sarkozi.

Le Foll, i jep vlerësim negativ punës së Z.Sarkozi në këtë fund vit. Ai thotë se ekonomia është në gjendje të keqe, dhe ka të ngjarë të përkeqësohet vitin e ardhshëm. Dhe ai tha, se dhe politikat sociale të tij nuk janë më të mira.

Dhe politikat e jashtme të z.Sarkozi kanë qenë burim kritikash. Ai i stabilizoi më tepër se paraardhësi i tij marrdhëniet e mira me SHBA, por analisti Micheau thotë se ai nuk e ka respektuar premtimin e fushatës së tij për të bërë çështjen e të drejtave të njeriut një pjesë integrale të politikës së tij të jashtme- pikërisht në lidhje me Rusinë dhe Kinën, të cilat i vizitoi këtë vit.

Në Dhjetor vizita në Francë e Moammar Gadhafit të Libisë- , i konsideruar dikur si vend terrorist- ishte burim pakënaqësish , sidomos kur z.Gadafi e kundërshtoi z. Sarkozi dhe tha se presidenti francez nuk e ka ngritur shqetësimin për të drejtat e njeriut gjatë bisedimeve të tij.

Politikani socialist Le Foll tha se vizita e z.Gadafi keqësoi imazhin jo vetëm për z.Sarkozi por gjithashtu për Francën. Ai kritikon gjithashtu mënyrën se si presidenti Francez monopolizon shtypin .

Por energjia e z.Sarkozi duket e pashterrshme- duke vizituar një ditë peshkatarët francezë dhe duke fluturuar drejt Çadit ditën tjetër. Megjithëse ai u përpoq që të mbante të fshehtë marrëdhënien e trazuar me gruan e tij Cecilia, njoftimi i divorcit të tyre zuri faqet e para në shtypin francez në muajin tetor. Marrëdhënia e tij e re me këngëtaren italiane Carla Bruni në të njëjtën mënyrë tërhoqi vëmendjen e medias.

Popullariteti i z.Sarkozi ka pësuar rënie nga afërsisht 80% në Gusht në rreth 50-55% këto kohë. Shumë analistë mendojnë se periudha e muajit të mjaltit mes tij dhe popullit francez ka marrë fund. Micheau i organizatës IFOP është mes tyre.

Por Micheau tha se popullariteti i lartë i z.Sarkozi, ishte i krahasueshëm me popullaritetin e heroit të luftës së dytë në Francë, Charles de Gol- ndaj rënia e përqindjes së tij tani është e natyrshme.

Zoti Micheau thotë se për presidentin Sarkozi plani më i mirë i veprimit për 2008, është që të realizojë premtimet e dhëna në 2007. //ii

XS
SM
MD
LG