Lidhje

2007 - Figura të shquara që u ndanë nga jeta


Gjatë vitit 2007, ndërruan jetë shumë figura të njohura në gjithë botën, të cilët lanë gjurmë të pashlyera. Natyrisht që ata ishin të shumtë, nga shkrimtarë, në këngëtarë, politikanë, aventurierë, dhe figura fetare.

Ish presidenti rus Boris Jeltsin vdiq në muajin prill në moshën 76 vjeçare. Ai tërhoqi vemendje në mbarë komunitetin ndërkombëtar në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik si president i Republikës Ruse. Ai iu kundërvu komplotistëve më 1991 kur ata u përpoqën të përmbysnin udhëheqësin sovjetik, Mihail Gorbaçov. Ata nuk patën sukses dhe shpejt shteti sovjetik ra.

Zoti Jeltsin fitoi zgjedhjet për një Rusi të pavarur në dhjetor 1991 si dhe një mandat të dytë më 1996. Ai doli në pension 6 muaj para se t’i përfundonte mandati dhe zgjodhi kryeministrin e atëhershëm, Vladimir Putin, në vend të tij.

Muhamad Zahir Shah ishte më tepër sesa një udhëheqës simbolik, ai ishte mbreti i fundit i Afganistanit. Ai sundoi për më shumë se 40 vjet dhe një grush-shteti më 1973 e detyroi të shkonte në mërgim. Ai u kthye në atdhe më 2002. Mbreti Muhamad Zahir Shah vdiq në nëntor në moshën 92 vjeçare.

Arritjet e Kurt Valdhaimit si Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe si president i Austrisë u errësuan më vonë nga njoftimet se ai kishte shërbyer në një njësi të ushtrisë gjermane në Ballkan, e cila kishte kryer krime. Ndaj tij nuk u ngritën kurrë akuza për krime lufte, por mohimi prej tij më parë rreth shërbimit në atë njësi e vuri përballësh kritikash ndërkombëtare. Valdhaim vdiq në moshën 88 vjeçare.

Edhe Pol Tibets zuri vënd në histori gjatë luftës së dytë botërore si piloti i ushtrisë amerikane, i cili në vitin 1945 lëshoi bombën e parë atomike në Hiroshimë të Japonisë. Piloti tha në një intervistë se nuk ishte penduar, madje e zinte fare mirë gjumi natën. Lufta mori fund shpejt pas misionit të tij historik, kur Shtetet e Bashkuara lëshuan bombën e dytë mbi Japoni. Pol Tibets ishte 92 vjeç.

Lejdi Bërd Xhonson jetoi në Shtëpinë e Bardhë në një kohë tragjedie për Shtetet e Bashkuara. Bashkëshorti i saj, Lindon Xhonson, ishte nën-president kur presidenti Xhon Kenedi u vra me atentat në nëntor 1963. Xhonson u bë presidenti i 36-të i Shteteve të Bashkuara. Me anë të një projekti, Lejdi Bërd Xhonson zbukuroi kryeqytetin e Amerikës; me përpjekjet e saj, mijëra lule u mbollën në Uashington. Ajo ndërroi jetë në moshën 94 vjeçare.

I përndershmi Xheri Follwell ishte një tele-evangjelist mjaft i njohur në Amerikë, por pati ndikim edhe në politikë. Zoti Follwell themeloi grupin politik lobist ‘Shumica Morale’ dhe mobilizoi miliona konservatorë për të zgjedhur republikanin Ronald Regan president në vitin 1980. Follwell mbeti një forcë e efektshme në lëvizjen konservatore të krishterë dhe ishte një njeri që ngjallte debate. Ai vdiq në maj në moshën 73 vjeçare.

Luçiano Pavaroti kishte një personalitet po aq të madh sa edhe zëri i tij. Tenori i madh ishte i njohur si mbreti i oktavës së lartë, madje ai ishte një prej pak këngëtarëve të operas që këndonte edhe në zhanre të tjera të përhapura. Pavaroti vdiq në maj në moshën 71 vjeçare.

Regjizori suedez, Ingmar Bergman, realizoi më shumë se 50 filma gjatë karierës së tij dhe konsiderohet gjerësisht si një prej figurave më me ndikim në historinë e kinematografisë. Tre prej filmave të tij fituan çmimin Oskar si filmi më i mirë në gjuhë të huaj. Ingmar Bergman vdiq në korrik në moshën 89 vjeçare. Edhe dy artistë të tjerë të njohur, shkrimtarë amerikanë, ndërruan jetë në vitin 2007 në moshën 84 vjeçare.

Normën Majllër ishte shumë i njohur për stilin e tij novator dhe herë herë bënte komente, që ngjallnin debate. Ai shkroi romane të zhanreve të ndryshme, që u shitën shumë. Kulmin e arriti me romanin The Naked and The Dead, i cili më vonë u vu në skenë.

Një roman tjetër shumë i shitur, që u vu në skenë ishte edhe ‘Slaughterhouse Five’ i shkrimtarit Kurt Vonegut, i cili nga shumë lexues amerikanë vlerësohej për pikpamjet e tij satirike të jetës së shekullit të 20-të.

Një hero tjetër amerikan, aventurieri i guximshëm Evel Knievel, u bë për herë të parë shumë i njohur në vitet 60-të e 70-të me hedhjet e tij me motorçikletë, që u transmetuan në televizion. Ai nuk ishte gjithnjë i sukseshëm dhe theu 40 kocka të trupit gjatë hedhjeve të ndryshme. Aventurieri vdiq këtë vit në moshën 69 vjeçare. //bsa//

XS
SM
MD
LG