Lidhje

PDK - LDK ende pa vendim për krijimin e koalicionit në Kosovë


Dy partitë më të mëdha politike në Kosovë, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, as sot nuk kanë marrë vendimin për krijimin e koalicionit të ri qeverisës, ndonëse tashmë është bërë e ditur se të dyja këto parti, kanë rënë dakord për një gjë të tillë.

Drejtuesit e të dy partive i arsyetuan vonesat me bisedimet brenda partive të cilat ende nuk kanë përfunduar. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili është edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se është shumë e rëndësishme që sa më shpejt të bëhet konstituimi i institucioneve të reja të Kosovës, por tërhoqi vërejtjen në nevojën e analizave që duhet të bëjë secili subjekt politik veç e veç.

“Ne jemi në komunikime dhe mendoj se do të vazhdojmë komunikimet tona në mënyrë korrekte, natyrisht pritet që të finalizohen marrëveshjet, unë në nuk them se do të ndodh sot apo nëse, kjo varet prej ecjes së mëtejshme që do të kem. Me rëndësi është se ka një qasje korrekte reciproke, dhe unë s'mund të them arsyet pse janë zvarritur në një formë apo një tjetër sepse është e nevojshme për secilin subjekt politik që të ketë analizat e veta të brendshme të cilat do të reflektojnë me një qëndrim përmbyllës final të akorduar. Është shumë e rëndësishme që sa më shpejtë të arrihet konstituimi i institucioneve të reja të dala nga vota e lirë e qytetarëve dhe Kosova të merr përgjegjësitë në ecjen institucionale në funksionet e mëtejshme”, tha presidenti Sejdiu.

Edhe Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës fituese e zgjedhjeve të 17 nëntorit, vonesën e krijimit të qeverisë e arsyetoi me domosdoshmërinë e konsultimeve. Ai tha se synon të formojë një qeveri funksionale e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Sipas tij më me rëndësi është koncepti dhe efikasiteti i qeverisë dhe jo emrat e ministrave që mund të përbëjnë kabinetin e tij.

“Ky proces është shumë transparent dhe vendimi do të jetë vendim i pranueshëm prej qytetarëve dhe do të jetë vendim që do t'u sjellë të mira të gjithë qytetarëve Kosovës. Jemi në periudhën e caktuar kohore - ligjore dhe gjithçka është duke shkuar në procedura të rregullta, me konsultime të sinqerta, mirëkuptuese. Do të kemi vendimin shumë të pranueshëm në kuptimin e mbështetjes së plotë, dhe natyrisht, këto konsultime janë në të mirë edhe të spektrit politik, por mbi të gjitha janë në të mirë të funksionalitetit më të mirë të institucioneve të ardhshme të Kosovë”, tha zoti Thaçi.

Autoritetet thanë se në fillim të vitit të ri Kosova mund të ketë institucionet e saj të reja, një periudhë kjo mjaft e shkurtër meqenëse më pesë janar skadon afati ligjor për mbledhjen e parlamentit të ri të Kosovës. Ata thanë se përpjekjet për krijimin e institucioneve po zhvillohen nën trysninë e kohës, por jo edhe në dëm të siç u tha, cilësisë së qeverisjes së ardhshme të vendit. //bsa//

XS
SM
MD
LG