Lidhje

Kosovë: Politikanët thonë se qeveria mund të krijohet pas vitit të ri


Udhëheqësit politikë të Kosovës thanë në Prishtinë se institucionet e dala nga zgjedhjet e 17 nëntorit do të krijohen pas vitit të ri.

Me gjithë paralajmërimet, as sot përfaqësuesit e dy partive më të mëdha politike në Kosovë, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk arritën ndonjë marrëveshje të qartë por as nuk shpjeguan arsyet e zvarritjes së procesit për krijimin e koalicionit të ri qeverisës.

Asnjëra nga dy partitë më të mëdha në vend nuk i vë fajin vetes për zvarritjen e nënshkrimit.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se ende nuk janë krijuar kushtet nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të nënshkruar koalicionin qeverisës.

“Nëse marrim përgjigje pozitive nga LDK, dhe nëse ata i kanë pranuar kushtet që i ka parashtruar kandidati për kryeministër, mendoj se e vetmja mundësi e konstituimit ka mbetur pas festave të fundvitit, në fillim të vitit 2008. Si duket Viti i Ri do të na sjellë institucionet e reja”, tha nënkryetari i PDK-së Jakup Krasniqi.

Sipas zotit Krasniqi, fjalën kryesore për të arritur marrëveshjen e kanë pasur udhëheqësit e dy partive politike, Presidenti Fatmir Sejdiu, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe i mandatuari për Kryeministër, Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Në anën tjetër, nënkryetari i Lidhjes Demokratikë të Kosovës, Eqrem Kryeziu, tha se vonesat në zyrtarizimin e koalicionit qeverisës nuk janë shkaktuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Ne jemi në pritje të nënshkrimit të marrëveshjes me Partinë Demokratike të Kosovës, që do të thotë nënshkrimin e marrëveshjes konkrete që nënkupton ndarjen e posteve. Përgjigjen e presim nga PDK-ja sepse dinamika varet nga partia që i ka fituar zgjedhjet. Ne e kemi konsensusin e plotë të kryesisë që të hyjmë në koalicion me PDK-në, dhe tani presim nënshkrimin e marrëveshjes konkrete.. Secili prej nesh është i disponuar që të ketë mirëkuptim për vonesat që mund t’i shkaktohen PDK-së në këtë periudhë, një ditë a dy janë të papërfillshme, por të jemi të qartë se vonesat nuk krijohen për shkak të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha zoti Kryeziu.

Sipas tij, kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ngul këmbë që parlamenti i Kosovës të mblidhet sa më shpejt. Zoti Kryeziu tha se duhet të përmbushet afati ligjor për krijimin e parlamentit të ri, “për të mos u turpëruar para opinionit ndërkombëtar”. Ai përsëriti se për sa i përket qeverisë, kryesia e LDK-së mund të kuptojë telashet që mund t’i ketë mandatari Thaçi, por sipas tij, parlamenti duhet mbledhur sa më parë.

Pesë janari është afati i fundit për mbledhjen e parlamentit të Kosovës, i cili do të përballet me vendime të rëndësishme për të ardhmen e vendit. //ii

XS
SM
MD
LG