Lidhje

Vdekja e Butos dhe ndikimi tek përpjekjet diplomatike amerikane


Vrasja e ish kryeministres pakistaneze dhe udhëheqëses së opozitës Benazir Buto shënon një goditje të rëndë ndaj përpjekjeve diplomatike amerikane në Pakistan. Shtetet e Bashkuara kishin varur shumë shpresa tek zonja Buto, për mundësinë e arritjes së një farë mirëkuptimi mes Presidentit Musharraf dhe partisë së saj. Por Vdekja e Butos e ka lënë të ardhmen politike të Pakistanit më të pasigurt se asnjëherë dhe disa ekspertë parashikojnë që kjo ngjarje të ketë si efekt forcimin e politikës amerikane për Pakistanin.

Deri para se të vdiste, Benazir Buto ishte një aktore kryesore në përpjekjet diplomatike të administratës Bush në Pakistan. Analistët që e njohin mirë politikën e Presidentit Bush për Pakistanin thonë se udhëheqësja 54-vjeçare e Partisë Popullore Pakistaneze ishte bërë me rëndësi jetike në aspektin e përpjekjeve amerikane për demokracinë dhe qendrueshmërinë në Pakistan.

Kthimi i saj në Pakistan në muajin tetor pas 8-vjetësh mërgim thuhet se u bë me mbështetjen dhe me ndërhyrjen amerikane, duke shënuar një kthesë me rëndësi për ish kryeministren, e cila në vitin 1996 u detyrua të largohej nga posti e akuzuar për korrupsion. Teresita Shefer është drejtore e Programit për Azinë Jugore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

"Shtetet e Bashkuara kishin varur shumë shpresa tek zonja Bhutto për mundësinë e arritjes së një farë mirëkuptimi mes zotit Musharraf dhe partisë së saj, për të kaluar nga qeveri e drejtuar nga ushtria në një regjim më demokratik. Natyrisht, një kalim i tillë tani nuk është më i mundur megjithëse edhe në atë kohë kishte shumë njerëz mendonin se ishte i pamundur" ,- thotë ajo.

Shtetet e Bashkuara mbështesnin idenë e marrëveshjeje për ndarje pushteti mes zonjës Buto dhe presidentit pakistanez Pervez Musharraf. Presidenti Bush është një mbështetës i zotit Musharraf, të cilin e shikon si një aleat kyç në luftën kundër terrorizmit. Kjo marrëveshje synonte të pajtonte fraksionet mjaft të përçara politike të Pakistanit dhe të sillte qendrueshmëri në vend. Por bisedimet nuk patën sukses dhe zonja Buto filloi fushatën për zgjedhjet parlamentare të caktuara për më 8 janar.

Vdekja e saj e ka lënë të ardhmen politike të Pakistanit më të pasigurt se asnjëherë. Ish ndihmës sekretari amerikan i shtetit Karl Inderfërth thotë se vrasja e saj nxjerr në pah kërcënimin e forcave ekstremiste në vend dhe do të ketë si efekt forcimin e politikës amerikane.

"Ajo do të përforcojë pikpamjen e Uashingtonit se duhet ta marrë Pakistanin shumë seriozisht dhe të angazhohet më shumë në mënyrat për të mbështetur qeverinë dhe popollin e Pakistanit. Mendoj se kjo do të çojë në një fuqizim të mbështetjes amerikane ndaj Pakistanit" , - thotë zoti Inderfërth.

Presidenti Bush e dënoi vrasjen e zonjës Buto dhe tha se pakistanezët duhet ta nderojnë ish kryeministren, duke vazhduar procesin demokratik për të cilin ajo u sakrifikua.//lk

XS
SM
MD
LG