Lidhje

2007-a në teknologji  - iPhone, shtëpia inteligjente, skaneri i shpejtë


Viti 2007 po mbyllet dhe gjatë këtij viti nuk pamë vetëm ngjarje politike. Shpikësit e ndryshëm në botë krijuan teknologji të reja që na lanë përsëri të habitur me gjenialitetin e tyre.

Në botën e elektronikës për konsumatorët, një nga shpikjet më interesante të hedhura në treg ishte "iphone", një telefon celular me shumë funksione të multimedias, pra mund ta përdorësh për të dëgjuar muzikë, për të parë internet e kështu me radhë.

Por ajo që bëri përshtypje ishte dizenjoja e jashtëzakonshme e këtij aparati të ri pa tastierë të kompanisë "Apple", e cila shpreson që të nxjerrë po aq fitime sa edhe me iPod-in që tashmë njihet mirë sidomos nga adoleshentët. Sidoqoftë, kompania "Apple" ka në plan që me iphone-in të kapë 1 përqind të tregut botëror të telefonave celularë.

Një shpikje tjetër... Konstruktorët në Korenë e Jugut kanë krijuar një lloj shtëpie që premton të plotësojë të gjitha nevojat e banorit të saj. Dhe ja se si. Para se të hyjë në shtëpi, njeriut i kërkohet të identifikojë veten dhe pas kësaj sistemi i sigurisë merr të dhënat e fytyrës së tij për ta lejuar të hyjë. Pasi ka hyrë në shtëpi, kompjuteri e informon personin se çfarë ka ndodhur gjatë kohës që ai nuk ka qenë aty. I tregon gjithashtu se çfarë gjërash ka në frigorifer. Ndërsa lavamani mund të ulet dhe ngrihet sipas gjatësisë fizike të personit.

Në muajin nëntor, në Klivlend të Shteteve të Bashkuara mjekët ekspozuan për herë të parë një skaner i fuqishëm për tomografinë e kompjuterizuar - një specialist i fushës mund ta kuptojë më mirë se çdo të thotë kjo. Por sidoqoftë, është një skaner aq i fuqishëm saqë arrin të kapë imazhin e zemrës së njeriut brenda hapësirës kohore prej dy të rrahurash. Kjo makinë na jep imazhe të hollësishme tredimensionale të çdo organi të trupit duke përfshirë zemrën dhe trurin. Imazhet që merren me rreze X ngarkohen në kompjuter. Sidoqoftë, shpejtësia e madhe e fotografimit lejon që njeriu të ekspozohet 80 përqind më pak ndaj rrezeve X. //lk

XS
SM
MD
LG