Lidhje

Pakistan: Udhëheqja sinjalizon mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve


Komisioni zgjedhor i Pakistanit do të vendosë nesër për të shtyrë ose jo zgjedhjet parlamentare, pas trazirave të shkaktuara nga vrasja e udhëheqëses së opozitës dhe ish-kryeministre e vendit, Benazir Buto. Zyrtarë të lartë të qeverisë dhe komisionit zgjedhor u thanë sot agjencive të lajmeve, se votimet mund të shtyhen për të paktën disa javë.

Partia e Popullit Pakistanez, e cila drejtohej nga zonja Buto dhe tani është nën drejtimin e të shoqit, Asif Ali Zardari dhe djalit të saj Bilawal, thotë se zgjedhjet do të zhvillohen më 8 janar, sipas planifikimit.

Partia tjetër kryesore e opozitës, e udhëhequr nga ish-kryeministri Nawaz Sharif, po ashtu ka kërkuar zhvillimin e zgjedhjeve, sipas planit. Gjatë një konference për shtyp sot, zoti Sharif tha se partia e tij do të marrë pjesë në zgjedhje, duke anuluar vendimin e mëparshëm për bojkotimin e zgjedhjeve.

Administrata e presidentit Bush shprehu shqetësim sot rreth shtyrjes pa afat të zgjedhjeve. Shtetet e Bashkuara, te cilat kanë luajtur rol të rëndësishëm në kthimin e zonjës Buto në Pakistan në përpjekje për të nxitur demokracinë atje, thanë se nuk do ta kundërshtonin një shtyrje të shkurtër, megjithëse këmbëngulën për një datë të saktë.

Trazirat që kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 44 vetëve, që pas vrasjes së zonjës Buto javën e kaluar, u qetësuan sot, megjithëse në disa zona, përfshirë qytetin jugor Hiderabad, pati njoftime për dhunë sporadike. Nga trazirat, janë shkaktuar dëme materiale me vlerë prej miliona dollarësh. //ad//

XS
SM
MD
LG