Lidhje

Kandidatët republikanë dhe demokratë bëhen gati për provën e parë zgjedhore


Ndërsa Iowa bëhej gati për fillimin e zgjedhjeve paraprake, gara për kandidatin e Partisë Republikane është ende e hapur, ndërsa kandidatët demokratë janë shumë pranë njëri-tjetrit.

Sipas sondazheve të opinionit publik, mes Republikanëve, ish-Guvernatori i Arkansasë Mike Huckabee dhe ish-Guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romney janë shumë pranë njëri-tjetrit.

Zoti Romney ka më shumë mbështetje financiare dhe një organizim më të mirë, por pozita e zotit Huckabee është përmirësuar në anketa falë mbështetjes së konservatorëve që përbëjnë një pjesë të mirë të votuesve republikanë në Iowa.

“Por nëse ju në Iowa tregoni se nuk bëhet fjalë thjesht për paratë, por është për mesazhin, është për ato që kanë rëndësi për njerëzit , atëherë do të kemi ndikim tek politika për dekada me radhë”.

Gjatë fushatës, zoti Romney nuk sulmon rivalët por përqendrohet tek arritjet e tij.

“Mendoj se është e rëndësishme që të kesh dikë që e di se ç’do të thotë ndryshim, që e ka provuar sektorin privat, që e di sesi krijohen dhe pse humbasin vendet e punës, që ka udhëtuar në botë dhe e kupton sesi të konkurrojmë me vende të tjera”.

Ish-kryetari i Bashkisë së New Yorkut nuk ka bërë shumë fushatë në Iowa, megjithëse në shkallë kombëtare ai ka kryesuar në sondazhe për muaj me radhë. Zoti Giuliani shpreson që të arrijë disa fitore në zgjedhjet paraprake në fund të janarit dhe fillim të shkurtit në shtete më të mëdha si Florida, Kaliforni dhe Nju Jork.

Mes republikanëve, janë në garë të fortë për vendin e tretë edhe John McCain dhe ish-senatori Fred Thompson i Tenesisë.

Sondazhet mes votuesve republikanë tregojnë se rreth gjysma e tyre ose nuk kane vendosur ende për një kandidat, ose edhe nëse kanë vendosur mund të ndryshojnë mendim.

Në kampin e demokratëve, tre konkurrentët kryesorë janë Senatorja e Nju Jorkut, Hillary Clinton, ish-Senatori i Karolinës së Veriut John Edwards dhe senatori i Ilinoit Barack Obama.

Sondazhet e fundit flasin për një garë të ngushtë mes tyre.

Zoti Edwards po përpiqet të konsolidojë mbështetjen e fortë që siguroi në Iowa në vitin 2004, kur doli i dyti pas senatorit John Kerry dhe u bë kandidati për nënpresident në zgjedhjet e atij viti.

“Jemi në një garë të ngushtë sepse mesazhi për të luftuar për premtimin e Amerikës, për fëmijët tanë, të luftojmë për vendet e punës në Amerikë dhe t’i japim fund pangopësisë së korporatave që po na dëmton kaq shumë, të gjitha këto janë çështje që përfaqësuesit e konferencave të Iowas i kuptojnë”.

Senatorja Klinton i kaloi orët e fundit të fushatës duke u kërkuar përkrahësve të saj të marrin pjesë në votimet e sotme.

“Është me të vërtetë e rëndësishme që të shkoni në votimet paraprake të Iowas nesër sepse i gjithë vendi, e gjithë bota do t’i ketë këtu sytë. Edhe bota ka nevojë për një president të ri”.

Senatorja Klinton e vë theksin tek përvoja e saj në Kongres dhe si ish-zonjë e parë, që ajo beson se i japin epërsi ndaj ish-senatorit Edwards, por sidomos senatorit Obama që po kryen mandatin e parë në Senat.

Megjithatë, edhe disa demokratë të tjetë, si kryetari i Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme Joe Biden, po e vënë theksin tek përvoja e tyre sidomos në politikën e jashtme, ndërsa përpiqen të dalin disi nga hija e tre kandidatëve kryesorë.

Tek përvoja në marrëdhëniet me jashtë po përqendrohen edhe senatori Chris Dodd i Konektikatit dhe Guvernatori i New Mexicos Bill Richardson.

Megjithatë të tre ata janë shumë prapa në krahasim me kandidatët kryesorë në sondazhe.

Pas Iowas fushata presidenciale kalon në New Hampshire, Michigan, Karolinën e Jugut dhe Florida.//kk//

XS
SM
MD
LG