Lidhje

Nafta arrin çmimin rekord $100 për fuçi në bursën e Nju Jorkut


Çmimi i naftës arriti dje nivelin rekord, 100 dollar për fuçi në bursën e Nju Jorkut, ndërkohë që kërkesa për naftë në mbarë botën vazhdon të jetë e lartë. Ekonomitë në zhvillim të Kinës dhe Indisë kanë ndikuar në rritjen e çmimit të naftës gjatë vitit që lamë pas, ndërkohë që tensionet në vendet prodhuese të naftës si Nigeria dhe Irani kanë shtuar spekulimet se kërkesat për naftë do të jenë më të larta se ofertat.

Çmimi i naftës u rrit më shumë se katër dollarë për fuçi të mërkurën duke e çuar për pak kohë çmimin e një fuçie në 100 dollarë para se ajo të binte në 99 dollarë e 61 centë. Çmimi i ri rekord erdhi pas disa javë ngritjesh të shkaktuar nga tensionet e vazhdueshme në vendet prodhuese. Pavarësisht se ende nuk janë materializuar shqetësimet spekulative rreth mungesës të furnizimit, kjo nuk i ka ndaluar blerësit që të ngrenë çmimin e naftës.

Shtëpia e Bardhë e pranon se këto çmime kanë ndikuar negativisht tek konsumatorët. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë thotë se nuk do të preken rezervat kombëtare për të ndikuar tek ulja e çmimit. “Prekja e përkohshme e rezervave nuk do ul ndjeshëm çmimet. Kjo dihet nga e kaluara,” thotë zëdhënësja.

Rezerva strategjike ka thuajse 700 milionë fuçi naftë për përdorim në raste emergjente. Zonja Periono thotë se plani i presidentit për 2008-tën është që të vazhdojë të nxisë kongresin që të miratojë ligje për të pakësuar vartësinë e Amerikës tek nafta e importuar dhe për të shtuar përdorimin e burimeve alternative si etanoli. “Duhet gjetur një mënyrë për shtimin e prodhiumit të naftës në Amerikë duke mos ndikuar tek mjedisi, në mënyrë që të shtohet oferta në treg, ndërkohë që kërkesat për naftë në botë po rriten.”

Analistët thonë se çmimet e larta të naftës pasqyrojnë shtimin e madh të kërkesave për energji në Kinë dhe Indi si dhe investimet e pamjaftueshëm në nxjerrjen e saj. Pavarësisht ndikimit psikologjik dhe historik të çmimit 100 dollarë një fuçi, analistët thonë se ky çmim është i krahasueshëm me çmimet rekord të naftës në vitet 1980, po të merret parasysh edhe inflacioni. //ad//

XS
SM
MD
LG