Lidhje

Presidenti Bush takohet me homologun e tij turk Abdullah Gul


Presidenti Bush dhe presidenti i Turqisë Abdullah Gul diskutuan sot në Shtëpinë e Bardhë mbi gjendjen në Irak dhe rreth përpjekjeve të Ankarasë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Presidenti Bush theksoi përkrahjen për përpjekjen e Turqisë për anëtarësim në BE, duke thënë se Turqia përmbën një shembull fantastik si një vend demokratik që bashkjeton me Islamin. Presidenti tha se të dy vendet ballafaqohen me problemin e terrorizmit dhe se Partia e Punëtorëve të Kurdistanit është një grup terrorist që kërcënon Turqinë, Irakun dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Bush thotë se Turqia është një urë e dobishme midis Evropës dhe botës islami dhe një partner i rëndësishëm strategjik i Shteteve të Bashkuara.

“Ne ndeshemi me probleme të përbashkëta. Një prej këtyre problemeve është lufta jonë e vazhdueshme kundër një armiku të përbashkët, që është terrorizmi. Një armik i tillë i përbashkët është Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila është armike e Turqisë, armike e Irakut dhe armike e popujve që duan të jetojnë në paqe”, tha presidenti Bush.

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia e shikojnë këtë parti si grup terrorist. Forcat turke kanë ndërmarrë kohët e fundit sulme në Irakun verior kundër kryengritësve kurdë. Shtetet e Bashkuara thonë se po e ndihmojnë Turqinë me informata zbulimi rreth Partisë punëtore të Kurdistanit.

Ky grup lufton që prej vitit 1984 për autonomi në pjesën jug lindore të Turqisë, rajon i banuar kryesisht nga kurdë. Nga kjo dhunë kanë gjetur vdekjen rreth 30 mijë vetë.

Presidenti Gul falenderoi presidentin Bush për vendosmërinë e tij kundër Partisë punëtore të Kurdistanit dhe për përkrahjen e vazhdueshme të përpjekjeve të Ankarasë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Duke folur nëpërmjet një përkhtyeseje, presidenti Gul tha se dy udhëheqësit diskutuan edhe mbi sigurimin e energjisë dhe mbi bisedimet izraelito-palestineze për paqe.

“Presidenti është angazhuar shumë në përpjekjet për të siguruar paqe në Lindjen e Mesme. Ne besojmë se këto janë përpjekje të rëndësishme që mund të sjellin rezultate. Ne gjithashtu diskutuam mbi Irakun dhe ne do të vazhdojmë të diskutojmë çështje të tilla si Iraku, Ballkani e tjera”.

Gjatë udhëtimit të tij këtë javë në Lindjen e Mesme, presidenti Bush do të vizitojë Izraelin, Bregun Perëndiomor, Kuvajtin, Bahrenin, Emiratet e Bashkuara arabe, Arabinë Saudite dhe Egjiptin. Krahas përpjekjes për sigurimin e mbështetjes për bisedime që synojnë një shtet të ri palestinez, presidenti Bush thotë se do të diskutojë mbi përpjekjet për kundërshtimin e ambicjeve agresive të Iranit. (ze)

Uashingtoni thotë se Irani po pasuron iranium për përdorim të mundshëm në një program armësh bërthamore. Teherani thotë se po pasuron uranium vetëm për qëllime paqësore civile për prodhimin e energjisë elektrike. (ze)

XS
SM
MD
LG