Lidhje

Gjeorgji: Mihail Sakashvili, fitues i zgjedhjeve presidenciale


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Gjeorgjisë konfirmoi se pas numërimit gati të të gjitha votave, udhëheqësi gjeorgjian Mihail Sakashvili fitoi përsëri zgjedhjet për president. Forcat e opozitës thonë se zgjedhjet u manipuluan dhe po kërcënojnë të dalin në protesta nëpër rrugë.

Autoritetet thanë sot, se zoti Sakashvili fitoi 52 për qind të votave në zgjedhjet e së shtunës. Duke fituar më shumë se 50 për qind të votave, ai shmangu balotazhin me udhëheqësin e opozitës Levan Gaçeçiladze, i cili fitoi gati 25 për qind të votave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e kishte njoftuar paraprakisht të dielën fitoren e zotit Sakashvili bazuar në numërimin jo të plotë të votave.

Duke folur sot në televizionin gjeorgjian, presidenti Sakashvili tha se një prej përparësive të tij në mandatin e dytë do të jetë përmirësimi i marrëdhënieve me Rusinë fqinje. Ai tha gjithashtu se synon ta ftojë presidentin rus, Vladimir Putin, në ceremoninë e inagurimit të tij. Ambasadori i Rusisë në Gjeorgji, Viasheslav Kovalenko, tha se edhe vendi i tij e dëshiron përmirësimin e marrëdhënieve, por pret nga Gjeorgjia të hedhë hapin a parë.//lk

XS
SM
MD
LG