Lidhje

Fitorja e Hillari Klintonit befason anketuesit dhe analistët


Senatorja e Nju Jorkut, Hillëri Klinton, dhe senatori i Arizonës, Xhon Mekejn, fituan zgjedhjet paraprake në shtetin Nju Hempshër përkatësisht për partinë Demokrate dhe atë republikane. Fitorja e ngushtë e senatores Klinton befasoi si anketuesit edhe analistët, të cilët kishin parashikuar se ajo do të humbiste ndjeshëm ndaj rivalit të saj, senatorit të Ilinoit, Barak Obama, i cili fitoi në zgjedhjet e javës së kaluar në shtetin Ajova.

Megjithëse anketat e opinionit tregonin se Hillëri Klinton ishte mbrapa në garën mes kandidatëve demokratë, senatorja e Nju Jorkut korri një fitore të madhe. Duke aluduar me fitoren në Nju Hempshër, pas humbjes në Ajova, të bashkëshortit të saj, ish presidentit Bill Klinton, 16 vjet më parë, ish zonja e parë e Amerikës u tha përkrahësve se ajo kishte gjetur zërin e saj.

“Tani së bashku, le t’i japim Amerikës të njëjtin kthim, që Nju Hempshër sapo më dha mua.” - tha zonja Klinton.

Fituesi i javës së kaluar në Ajova, senatori Barak Obama, i cili e portretizoi veten si agjent të ndryshimit, falenderoi dje votuesit e pavarur, që morën pjesë masivisht në zgjedhjet paraprake.

Senatori Xhon Mekejn, i cili fitoi në Nju Hempshër para 8 vjetësh, fitoi përsëri zgjedhjet paraprake mes kandidatëve republikanë. Vetëm 6 muaj më parë, fushata e zotit Mekejn gati sa nuk falimentoi dhe mbështetja e opinionit për të ra.

“Kur gazetarët na deklaruan ne të përfunduar, unë u thashë atyre se do të shkoja në Nju Hepmshër, ku votuesit nuk të lenë të marësh vendime për ta.” - tha Mekein.

Mit Romni, ish guvernator i shtetit fqinj Masaçusets, për muaj të tërë ishte në krye të shumicës së anketave të opinionit në Nju Hempshër. Nju Hempshër është një shtet i vogël si nga sipërfaqja edhe popullsia i mbuluar nga dëbora në stinën e dimrit. Popullata prej 1 prej 3 milion banorësh, si shteti ku zhvillohen fare herët zgjedhjet paraprake, ka një ndikim të madh në fushatë.

Votuesit në këtë shtet kanë karakter të ashpër. Rreth 40 përqind e konsiderojnë veten të pavarur dhe me temën për ndryshime, kandidatët u përpoqën të tërhiqnin sa më shumë të pavarur. Barak Obama e përqendroi fushatën e tij tek votuesit e rinj të pavarur. Njëri prej tyre ishte Kris Slark.

“Ai ka një buzëqeshje me të vërtetë të këndëshme, madje mendoj se është i ndershëm. Ai do të ishte një president shumë inkurajues.” - tha Slark.

Në ditën e zgjedhjeve paraprake, zonja Klinton u përball me votues kundërshtarë. Një burrë refuzoi t’i jepte asaj dorën. Ish presidenti Bill Klinton vuri në lojë moton për ndryshime të senatorit Obama, duke vënë në dukje se gruaja e tij dhe senatori Obama kanë votuar njëlloj për çështje të ndryshme në Senat.

Fushata e senatorit Mekejn u përqendrua tek votuesit e pavarur, të cilët i siguruan atij fitoren para 4 vjetësh. Por rivali i tij, Mit Romni, në fjalimin e tij u përpoq ta portretizonte zotin Mekejn si një element të brendshëm të Uashingtonit.

“Mendoj se ka ardhur koha të dërgojmë në Uashington një njeri, i cili do të bëjë punën që kërkohet.”- tha ai.

Edhe kandidati tjetër demokrat, Xhon Eduards, i cili zuri vendin e tretë dje në Nju Hempshër, u zotua ta vazhdojë fushatën.

Rezultatet e djeshme në Nju Hempshër dhe një javë më parë në Ajova krijuan atë që mund të jetë një betejë e fortë e të dy partive për emërimin e kandidatit, një betejë shtet më shtet, që mund të vazhdojë për javë të tëra.//lk

XS
SM
MD
LG