Lidhje

SHBA: Televizionet nxjerrin senatoren Clinton fituese në New Hampshire


Rrjetet televizive amerikane parashikojnë se senatorja e Nju Jorkut, Hillary Clinton do të jetë fituesja e zgjedhjeve paraprake mes demokratëve në shtetin New Hampshire.

Në një garë mjaft të fortë, e cila nuk qe parashikuar të ishte kaq e ashpër, zonja Clinton mendohet se ka fituar me një rezultat tepër të ngushtë ndaj senatorit të shtetit Illinoi, Barack Obama, i cili doli fitues në garën mes demokratëve në Iowa javën e kaluar.

Senatori nga Arizona John McCain ka fituar ndërkaq garën mes republikanëve. Ai u tha simpatizantëve që brohorisnin se është mirënjohës ndaj mundësisë për t’u zgjedhur si president i Shteteve të Bashkuara.

Mbështetësit në shtabin e fushatës së zotit McCain në New Hampshire tundnin flamurë amerikanë dhe brohorisnin "Mac is Back" – “Mac është kthyer” duke festuar fitoren e zotit McCain ndaj ish guvernatorit të shtetit Massachusetts, Mitt Romney.

Moti çuditërisht i ngrohtë dhe interesimi i fuqishëm i votuesve bëri që pjesmarrja të ishte e madhe. Zyrtarët e zgjedhjeve kishin thënë se në votime do të merrnin pjesë të paktën gjysmë milioni njerëz.

Kandidatët synonin të tërhiqnin votuesit e pavarur të cilët përbëjnë mëse 40 përqind të elektoratit në New Hampshire dhe që lejohen të marrin pjesë në zgjedhjet paraprake në cilëndo parti politike.

Procesi i emërimit nga shteti në shtet arrin pikën kulmore me kuvendet e demokratëve dhe republikanëve në muajin gusht dhe shtator ku do të zgjidhen kandidatët për zgjedhjet e përgjithëshme të nëntorit. //ii

XS
SM
MD
LG