Lidhje

New Hampshire: Clinton fiton për demokratët, McCain për republikanët


Në Shtetet e Bashkuara, senatorja demokrate Hillary Clinton dhe senatori republikan John McCain dolën fitues në zgjedhjet paraprake në shtetin New Hampshire.

Zonja Clinton fitoi mbrëmë me rezultat mjaft të ngushtë, vetëm një javë pas humbjes së bujshme në shtetin Iowa ndaj senatorit të shtetit Illinoi, Barack Obama. Në fjalimin që mbajti pas fitores, senatorja e Nju Jorkut dhe ish zonja e parë e Amerikës tha se ishte gati t’i jepte vendit atë kthesë që shteti New Hapmshire i kishte dhënë asaj.

Obama, i cili doli i dyti mes demokratëve por shumë pranë fitueses, e uroi zonjën Clinton dhe deklaroi se megjithë humbjen ai është ende plot energji dhe gati për të vazhduar.

Senatori nga Arizona McCain, fushata e të cilit pothuajse dështoi vitin e kaluar, fitoi ndaj rivalit të tij më të afërt republikan, ish guvernatorit të shtetit Massachusetts, Mitt Romney. Ai u tha simpatizantëve që brohorisnin "Mac is Back" – “Mac është kthyer”, se është mirënjohës për mundësinë që të shërbejë si president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara.

Moti mjaft i ngrohtë dhe interesimi i fuqishëm i votuesve bëri që pjesmarrja të ishte e madhe. Zyrtarët e zgjedhjeve kishin thënë se në votime do të merrnin pjesë të paktën gjysmë milioni njerëz.

Kandidatët synonin të tërhiqnin votuesit e pavarur të cilët përbëjnë mëse 40 përqind të elektoratit në New Hampshire dhe që lejohen të marrin pjesë në zgjedhjet paraprake në cilëndo parti politike.

Procesi i emërimit nga shteti në shtet arrin pikën kulmore me kuvendet e demokratëve dhe republikanëve në muajin gusht dhe shtator ku do të zgjidhen kandidatët për zgjedhjet e përgjithëshme të nëntorit. //ii

XS
SM
MD
LG