Lidhje

Presidenti Bush: Irani, financuesi kryesor i terrorizmit në botë


Presidenti Bush e quajti Iranin shtetin kryesor që financon terrorizmin në botë. Ai u bëri thirrje aleatëve amerikanë në rajonin e Gjirit t’i kundërvihen rrezikut para se të jetë vonë.

Duke folur sot në Emiratet e Bashkuara Arabe, zoti Bush tha se Irani mbështet militantët në Irak, Liban dhe territoret palestineze. Presidenti tha se ndërsa vendet e tjera në rajon po shkojnë drejt hapjes, qeveria iraniane shtyp popullin dhe kërcënon vendet fqinje. Zoti Bush i bëri thirrje Teheranit të tregojë përgjegjshmëri para popullit të tij.

Qeveria e Iranit akuzoi Uashingtonin se po shfrytëzon vizitën e presidentit Bush në Lindjen e Mesme për të përhapur ndjenja anti-iraniane në rajon. Një zëdhënës i ministrisë së jashtme tha sot se zyrtarët amerikanë po e ekzagjerojnë incidentin e fundit në Gjirin Persik për ta paraqitur Iranin në dritë negative.

Zëdhënësi iranian e minimizoi konfrontimin e javës së kaluar si diçka rutinë dhe kërkoi që Shtetet e Bashkuara të kërkonin ndjesë për mënyrën se si e përshkruan incidentin. Komandanti i Flotës së Pestë të Marinës amerikane i deklaroi presidentit Bush se konfrontimi ishte tepër serioz. Zoti Bush tha gjatë ndalesës së tij në Izreel të mërkurën se Irani do të përballet me pasoja serioze në se sulmon anijet amerikane. //rd//

XS
SM
MD
LG