Lidhje

Robert Dean:  Gjyqësori në Kosovë i përgatitur për statusin e ri


Kreu amerikan i Departamentit të Drejtësisë së Kosovës, Robert Dean, thotë se sistemi i atjeshëm drejtësisë i ka krijuar bazat e duhura për të qenë demokratik dhe funksional edhe nëse Kosova bëhet e pavarur. Zoti Dean thotë se autoritetet vendore janë të afta për të marrë përsipër të gjitha kompetencat, por thekson se është e rëndësishme që çështjet e krimeve të luftës dhe të dhunës ndëretnike të vazhdojnë të trajtohen nga gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës: Zoti Dean, si është gjendja e drejtësisë në Kosovë tani që ajo është në periudhën e tranzicionit drejt shpalljes së pavarësisë?

Robert Dean: Tani kemi një kontingjent mjaft të mirë gjykatësish që punojnë në gjykatat komunale, të qarkut dhe në gjykatën e lartë. Po ashtu kemi edhe një kontigjent gjykatësish ndërkombëtarë. Parlamenti po shqyrton ligjin për drejtësinë i cili kërkon një riorganizim të drejtësisë. Legjislacioni ende nuk është miratuar, pavarësisht se plani është i tillë. Do të ketë ristrukturim dhe reforma. Ekziston edhe një projekt tjetër për riemërimin e mundshëm të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, duke përfshirë aplikantë të tjerë që do të shprehin interes. Kandidatët për këto poste do të vlerësohen nga një grup ndërkombëtarësh dhe ky proces do të financohet nga Bashkimi Evropian dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë ka edhe probleme. UNMIK-ut i ka marrë kohë të krijojë një program për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe kjo është e vështirë në një vend kaq të vogël sa Kosova. Lëvizja e dëshmitarëve nuk është aq praktike në Kosovë sa ç’është në vende më të mëdha. Kjo çështje është parashtruar mjaft mirë në një raport të muajit tetor nga OSBE-ja dhe departamenti amerikan i shtetit e cila i përgjigjej pyetjes se si është gjendja e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe çfarë hapash mund të ndërmerren për ta përmirësuar atë në të ardhmen. Ka procedura në kodin penal të cilat janë shumë liberale në lidhje me ndryshimin e emrit, identitetit etj. Ka dispozita për dëshmi anonime dhe paisje të vendosura në thuajse të gjitha gjykatat në rajone që bëjnë të mundur ndryshimin e zërit dhe figurës së dëshmitarit. Por gjëja kryesore është lëvizja e dëshmitarëve jashtë vendit. Kjo është çështje marrëveshjesh me qeveritë e huaja dhe fondesh e cila po trajtohet. Pra ky problem njihet dhe zgjidhjet e tij po shqyrtohen.

Zëri i Amerikës: A mendoni se autoritetet vendore, duke përfshirë gjykatësit dhe prokurorët janë të përgatitur për të marrë përsipër të gjitha kompetencat, duke përfshirë të gjitha llojet e çështjeve?

Robert Dean: Nëse do të thosha po, atëherë nuk do të kishte më nevojë për gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë. Megjithatë, niveli i aftësive të autoriteteve vendore është rritur dhe vazhdon të rritet. Mendoj se për sa u përket krimeve të luftës dhe dhunës ndëretnike është ndoshta më mirë që këto lloj çështjesh të vazhdojnë të mbeten në duart e ndërkombëtarëve. Por, për sa u përket çështjeve të tjera mendoj se mund t’u mbeten autoriteteve vendore. Megjithatë, kjo do të varet në ndryshimet që mund të ndodhin në statusin e Kosovës dhe në rolin që do të luajnë ndërkombëtarët në misionin e BE-së që presim të pasojë.

Zëri i Amerikës: Mendoni se gjykatësit dhe prokurorët vendorë janë të gatshëm dhe objektivë për të marrë përsipër dhe për të trajtuar edhe çështjet ndëretnike?

Robert Dean: Nuk mendoj se është çështje aftësie, mendoj se është çështje se si mund të ndjehen gjykatësit dhe prokurorët vendorë në trajtimin e këtyre çështjeve. Pyetja është se kur do ta kalojë Kosova periudhën delikate të pas-konfliktit. Unë nuk e di saktësisht, por do të vijë dita kur ato lloj çështjesh do të trajtohen vetëm nga vendorët pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Megjithatë, për momentin mendoj se të gjitha palët janë më të kënaqura me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve në këto lloj çështjesh, dhe mendoj se kjo duhet të vazhdojë për një farë kohe në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Korrupsioni është një nga çështjet kryesore në Kosovë. Çfarë po bën departamenti juaj për t’i trajtuar çështje të tilla?

Robert Dean: Trajtimi i çështjeve të korrupsionit ka filluar kohët e fundit në departamentin e drejtësisë. Tani është përparësi, pavarësisht se në fillim nuk ishte. Për sa i përket korrupsionit, ai është fenomen që duhet të kihet kujdes në çdo vend, jo vetëm në Kosovë. Por mendojmë se është diçka që institucionet vendore duhet ta trajtojnë edhe pse mund të ketë korrupsion edhe brenda tyre. Ndërkombëtarët do të jenë të përfshirë në mbikqyrjen, hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre rasteve. Tani ka hetime që po zhvillohen si nga vendorët ashtu edhe nga ndërkombëtarët. Prandaj shpresoj se përpjekjet në këtë aspekt do të jenë të suksesshme.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit ka pasur akuza se disa nga gjykatësit ndërkombëtarë kanë marrë rryshfete për lirimin e të burgosurve. A po i heton departamenti i drejtësisë këto akuza?

Robert Dean: Unë nuk kam dijeni që ndonjë gjykatës ndërkombëtarë të ketë marrë rryshfet. Megjithatë, ka qenë rasti i një individi që po hetohet se ka gënjyer duke pretenduar se është gjykatës ndërkombëtar dhe ka marrë para, por ai nuk ka qenë gjykatës i vërtetë ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: A ekzistojnë tani në Kosovë bazat e një sistemi drejtësie demokratik dhe funksional që do t’i shërbenin një Kosove të pavarur?

Robert Dean: Po. Prandaj edhe bëra komentet e mëhershme për ligjin dhe reformat mbi drejtësinë. Dhe tani po shqyrtohet edhe një ligj për prokurorët dhe avokatë mbrojtës. Mendoj se bazat ekzistojnë pavarësisht se duhen përmirësime të vogla që po bëhen. Mendoj se nëse do të vijë koha që Kosova të bëhet e pavarur, nëse kjo do të ndodhë, ka njerëz të motivuar dhe të aftë që duan t’i përmirësojnë gjërat dhe të shohin një të ardhme të suksesshme për Kosovën, Megjithatë do të ketë ende shumë punë për të bërë. //ii

XS
SM
MD
LG