Lidhje

Mbrojtja e mjedisit i jep formën ekonomisë së re globale


Instituti Worldwatch thotë në raportin e tij “State of the world 2008”, “Gjendja e botës në vitin 2008”, se investitorët dhe prirjet ekonomike po i përshtaten ndryshimeve klimatike dhe problemeve të tjera të mjedisit. Në raport thuhet se zhvillimi i sektorit të ekonomisë së padëmshme për mjedisin mund të çojë në një transformim dramatik të sistemit të ekonomisë botërore.

"Ajo që kemi parë deri tani, është ndoshta jo më tepër se dy, ose 3 për qind e asaj që duhet të ndodhë në fund të fundit. Një shembull i kësaj është se kemi një ritëm të jashtëzakonshëm rritjeje në teknologjitë me energji të ripërtëritshme, në përgjithësi, një rritje prej 30 deri në 40 për qind në vit".

Zoti Flavin thotë se sektori i prodhimit të qëndrueshëm që është vërejtur si në energji, bujqësi, në ndërtim dhe në prodhimin e makinave, ka sjellë ndryshime ekonomike me vlerë disa miliarda dollarëshe.

Raporti vlerëson se investimet që u bënë gjatë vitit 2006 për burimet energjetike të ripërtëritshme, patën një vlerë prej 52 miliardë dollarësh. Studimi, po ashtu thekson se disa nga aktorët kryesorë në ekonominë e sotme, mes tyre kompanitë Citigroup, Goldman Sachs dhe Wal Mart, kanë bërë të njohura nisma të reja për mjedisin.

Raporti “Gjendja e Botës në 2008” citon dy studime kryesore ekonomike mbi dëmin e mundshëm nga ndryshimet e klimës globale, i pari i kryer nga “Forumi i Ekonomisë Botërore” dhe i dyti nga qeveria britanike.

"Sir Nicholas Stern, ish-shefi i ekonomisë në Bankën Botërore, në raportin e tij për qeverinë britanike vitin e kaluar, vlerësoi se dëmi ekonomik për shkak të ngrohjes globale, mund të jetë deri në 8 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto në shkallë botërore. Ai tha se ndryshimet klimatike përbëjnë kërcënimin më të madh me të cilin përballet ekonomia botërore në shekullin e 21-të".

Gary Gardner ka qenë bashkëdrejtor i raportit të Institutit Worldwatch.

"Një tjetër shembull është gjendja e peshkimit, ku 11 nga 15 rajonet e peshikimit në botë shfrytëzohen në maksimum ose përtej kapacitetit të tyre. Kjo gjendje duhet të ndryshojë, për të lejuar ripërtëritjen e ambjentit".

Në raportin vjetor të Organizatës Worldwatch, thuhet se tani ekzistojnë rreth 600 fonde për mjedisin dhe energjinë, si dhe investime shumëmilionë dollarëshe për teknologjinë e pastër, energjinë e zëvendësueshme dhe për uzinat e para që e përdorin atë. Në raport thuhet gjithashtu, se 54 banka, që përfaqësojnë 85 për qind të kapacitetit financiar në shkallë globale, kanë shprehur mbështetje për një paketë me standarte ndërkombëtare për një mjedis të pastër, që njihet me termin “Parimet e Ekuatorit”. Gary Gardner thotë se prirjet e sotme për investimin e kapitalit po shihen qartë.

"Energjia e ripërtëritshme, - thotë ai, - është kategoria e tretë më e madhe, pas teknologjisë së informacionit dhe industrisë farmaceutike ku sot investohet kapital".

Instituti Worldwatch thotë se për të shmangur shkatërrimin e ekonomisë globale, qeveritë dhe investitorët duhet t’i vazhdojnë përpjekjet për një ekonomi më të qëndrueshme. (ze)

XS
SM
MD
LG