Lidhje

Zgjedhjet presidenciale në Serbi dhe statusi i Kosovës


Ndërsa Serbia përgatitet të mbajë zgjedhjet më 20 janar, statusi i ardhshëm i Kosovës vazhdon të jetë një çështje, që ndan votuesit.

Mendimi i këtij votuesi pasqyron një ndjenjë të përgjithshme në këtë sezon zgjedhjesh në Serbi, i cili thotë se fituesi i zgjedhjeve duhet të arrijë rezultate më të mira se sa presidenti aktual.

“Më shumë vende pune, më shumë të ardhura dhe më shumë në çdo aspekt. Deri më tani nuk kemi parë rezultate të mëdha.”

Në këto zgjedhje konkurojnë udhëheqësi i Partisë Radikale Serbe ultra-nacionalisti, Tomisllav Nikoliç, dhe presidenti Boris Tadiç, i Partisë Demokratike pro-perëndimore.

Zoti Tadiç, i cili mbështet marrëdhënie më të afërta me Bashkimin Evropian, pavarësisht nga statusi i ardhshëm i Kosovës, thotë se Serbia duhet të nënshkruajë marrëveshjen e asocim stabilizimit me BE-në në fund të këtij muaji.

Ndërkohë, njoftohet se zoti Nikoliç ka thënë kohët e fundit se, në qoftë se Kosova shpall pavarësinë, Serbia duhet ta izolojë Kosovën. Qeveria e Serbisë ka miratuar një plan veprimesh për ta zbatuar, në qoftë se Kosova shpall pavarësinë. Ministri serb për Kosovën, Slobodan Samarxhiç, e përshkroi planin si tepër sekret dhe nuk pranoi të jepte ndonjë hollësi. Në një deklaratë të qeverisë thuhet se qëllimi i planit është mbrojtja e sovanitetit dhe tërësisë territoriale të vendit, si dhe rendi kushtetues. Çështja e Kosovës është një prej shqetësimeve më të mëdha të votuesve serbë.

“Dëshiroj që Kosova të jetë pjesë e Serbisë, asnjeri nuk duhet të heqë dorë prej saj”, thotë ky votues.

Por jo të gjithë presin ndryshime.

“Unë do të dëshiroja, thotë një votues tjetër, që demokratët të qëndrojnë në pushtet. Tomisllav Nikoliç nuk do të ndryshojë asgjë. Jam ngopur me gënjeshtrat e tij.”

Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës, por Serbia, e mbështetur nga Rusia, e kundërshton me këmbëngulje një gjë të tillë pasi e konsideron Kosovën si djepin e qytetërimit të saj.

Analisti Srdjan Bogosavljeviç i Institutit Strategjik për Marketimin dhe Kërkimet e Medias, thotë se rezultati përfundimtar do të varet nga pjesëmarrja në votime e elektoratit prej 6 presje 6 milion zgjedhësish të regjistruar.

“Nëse më pak se 2 presje 9 milion votues marrin pjesë, kjo do të çojë në fitoren e zotit Nikoliç, kurse një pjesëmarrje prej më shumë se 3 presje 1 milion votuesish do të ishte në favor të presidentit Tadiç. Sa më e madhe të jetë pjesëmarrja, aq më e madh do të jetë diferenca në vota mes dy kandidatëve.”

Të enjten e kaluar, komisioni i zgjedhjeve i Serbisë vendosi të mos lejojë vëzhgues nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania që të mbikqyrin zgjedhjet.

Njëri prej anëtarëve të komisionit, i cili e mori këtë vendim të enjten, tha se vëzhguesit nga këto dy vende nuk ishin të mirëpritur për shkak se mbështesin përpjekjet e Kosovës për pavarësi nga Serbia.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian po debaton për dërgimin e një misioni policor prej 1 mijë e 800 trupash në Kosovë.

Beogradi është i shqetësuar se një dislokim i tillë nga BE-ja do të ishte një prelud i pavarësisë së Kosovës. Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica ka thënë se një hap i tillë nga Bashkimi Evropian do të ishte i paligjshëm dhe do të përbënte shkelje të integritetit teritorial të Serbisë. (ze)

XS
SM
MD
LG