Lidhje

Përparësitë e Sllovenisë si presidente e radhës e BE-së


Republika e vogël malore e Sllovenisë mori presidencën e radhës të Bashkimit Evropian më 1 janar. Ambasadori i Sllovenisë në Uashington Samuel Zbogar, thotë se një ndër përparësitë e Ljubjanës është zgjidhja e statusit të Kosovës brenda 6 muajve të ardhshëm dhe përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ambasadori slloven në Uashington Samuel Zbogar parashtroi gjatë një takimi në mjediset e Kongresit amerikan në fillim të javës përparësitë e vendit të tij për 6 muajt e ardhshëm. Zoti Zbogar tha se detyra më e rëndësishme për presidencën e Sllovenisë në të ardhmen e afërt është zgjidhja e statusit të Kosovës. “Kosova është çështja kryesore. Ajo duhet të zgjidhet brenda 6 muajve të parë.”

Ambasadori Zbogar tha se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor ka rëndësi të madhe për sigurinë dhe begatinë e gjithë Bashkimit. Sllovenia tha ai, do të punojë për të përshpejtuar integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian. “Gjatë presidencës së saj Sllovenia do të synojë të përfundojë nënshkrimin e marrëveshjeve të Asocim Stabilizimit me gjithë Ballkanin Perëndimor”. Procesi i Asocim Stabilizimit ka qënë një instrument i vlefshëm për nxitjen e stabilitetit dhe të reformave," tha ambasadori slloven.

Muajin e kaluar kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica tha se Beogradi nuk do ta nëshkruajë marrëveshjen e Asocim Stabilizimit nëse Bashkimi njeh pavarësinë e Kosovës dhe nëse dërgon një mision evropian në Kosovë. Por ambasadori slloven tha se këto dy çështje nuk janë të lidhura. “Nënshkrimi i marrëveshjes nuk ka të bëjë me misionin evropian në Kosovë. Ka ardhur koha që Serbia, populli i saj të shikojë drejt së ardhmes, ta kuptojë se Evrorpa është me ta dhe se e ardhmja e tyre është në Evropë.”

Gjatë takimit me ndihmësit e lartë të ligjvenësve, amabasadori slloven tha se zgjerimi ka qenë një nga politikat më të suksesshme të Bashkimit. Bisedimet e anëtarësimit me Kroacinë dhe Turqinë shtoi ai, do të vazhdojnë. Koha e anëtarësimit tha ai, do të varet nga përmbushja i kritereve të pranimit prej secilit vend.

Sllovenia ka thënë se gjatë presidencës së saj, do të marrë masat e duhura që Traktati i Lisbonës të hyjë në fuqi ditën që do të ratifikohet nga vendet anëtare gjatë 2008. Sllovenia është vendi i parë i grupit të vendeve që u anëtarësuan në vitin 2004, që merr presidencën e radhës. //ad//

XS
SM
MD
LG