Lidhje

Nikolas Bërns largohet nga Departamenti i Shtetit


Numri tre i Departamentit amerikan të Shtetit, nënsekretari për çështjet politike, Nikolas Bërns, njoftoi se do të largohet nga ky post në muajin mars. Zoti Burns, i cili e mban këtë detyrë që prej tre vjetësh, ka qenë ndihmës i afërt diplomatik i Sekretares së Shtetit Kondoliza Rajs.

Vendimi i zotit Bërns për të dhënë dorëheqjen vjen si diçka e papritur po të kihet parasysh angazhimi i tij aktiv në një numër çështjesh kyçe, si statusi i Kosovës, sanksionet e OKB-së kundër Iranit dhe marrëveshja amerikano-indiane për çështjet bërthamore, e cila vazhdon të jetë e bllokuar.

Megjithatë, zyrtarët theksojnë se prapa dorëheqjes së tij nuk fshihet ndonjë mosmarrëveshje e natyrës politike. Ata thonë se zoti Bërns, i cili ka tre vajza në moshë studentore, dëshiron të ndjekë një karrierë më fitimprurëse në sektorin privat.

Zoti Bërnska patur një ngjitje meteorike në shërbimin diplomatik amerikan. Në vitet e fundit të Luftës së Ftohtë ai ka qenë këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për çështjet sovjetike dhe më pas ambasador i Shteteve të Bashkuara në Greqi dhe në NATO. Zoti Bërns u bë pastaj nënsekretar i shtetit për çështjet politike, tradicionalisht pozita më e lartë që mund të arrijë një diplomat karriere nën moshën 50-vjeçare.

Sekretarja Rajs e njoftoi dorëheqjen e zotit Bërns në një takim me gazetarët dhe e kujtoi me këto fjalë punën e tyre të përbashkët në stafin e Shtëpisë së Bardhë në kohën e Presidentit të parë Bush: "Ka qenë një kënaqësi e rrallë që punoja bashkë me një mik të tillë në kohë të vështirë për vendin, në kohën kur po përfundonte Lufta e Ftohtë, me një njeri i cili e kupton se vetëm kur Amerika është e fortë në vlerat e saj, e përkushtuar ndaj këtyre vlerave dhe e vendosur për të marrë vendime të vështira mund të shpresohet për rezultate si ato që u arritën me mbarimin e Luftës së Ftohtë apo në Lindjen e Mesme."

Nga ana e tij, zoti Bërns, në të njëtin takim me gazetarët, vlerësoi lart kolegët e tij të shërbimit diplomatik gjatë një karriere 26-vjeçare. Ai vlerësoi gjithashtu zonjën Rajs për angazhimin e saj të veçantë në emër të suksesit të politikës së jashtëme amerikane në një kohë “shumë të rrezikshme dhe të ndryshme”, siç u shpreh ai. "Do të vazhdoj të mbështes përpjekjet tuaja për realizimin e paqes izraelito-palestineze, për të çuar deri në fund hapjen e tanishme shumë strategjike ndaj Indisë e cila do të sjellë kaq të mira për vendin tonë dhe për politikën tonë të jashtëme globale si dhe t’ju ndihmoj e mbështes në një kohë që përballeni me sfida të jashtëzakonshme në këtë periudhë të vështirë. Mund të keni besim te kjo mbështetje."

Zyrtarë të Departamentit të Shtetit thonë se duke patur parasysh rëndësinë e postit, pasuesi i zotit Bërns është gjetur dhe njoftimi zyrtar do të bëhet pas disa ditësh.

Ata thonë se vendin e tij do ta zerë ambasadori amerikan në Rusi, Uilliam Bërns, i cili nuk ka lidhje familjare me zotin Bërns. Ambasadori Uilliam Bërns ka shërbyer në një numër postesh të rëndësishme në administratën e tanishme, mes të tjerash edhe si ndihmës sekretar i shtetit për Çështjet e Lindjes së Afërme. //bsa

XS
SM
MD
LG