Lidhje

Gjeorgji: Mikhail Sakashvili bën betimin për një mandat të dytë


Në Gjeorgji, presidenti i rizgjedhur Mikhail Sakashvili bëri betimin për një mandat të dytë me një premtim se do të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë.

Po sot, në kryeqytetin Tbilisi, dhjetra mijë përkrahës të opozitës zhvilluan një miting për të protestuar kundër atyre që ata i cilësuan si zgjedhje të manipuluara presidenciale.

Zoti Sakashvilli e bëri betimin gjatë një ceremonie madhështore në Tbilisi, jashtë ndërtesës së parlamentit. Në fjalimin e tij, avokati i cili ka studiuar në Shtetet e Bashkuara, iu drejtua opozitës me fjalët: “duhet të bashkohemi dhe ta ndërtojmë vendin së bashku”.

Gjatë ceremonisë, në krah të zotit Sakashvilli qendronin të ftuar, duke përfshirë ministrin e jashtëm rus Sergej Lavrov. Nga Shtetet e Bashkuara i ftuar ishte Sekretari i Tregtisë Carlos Gutierrez.

Në një tjetër pjesë të kryeqytetit, udhëheqësi i opozitës, Levan Gaçeçilaze e quajti zotin Sakashvili mashtrues. Ai deklaroi përpara demonstruesve të shumtë se opozita nuk do të përdorë dhunën por paralajmëroi për protesta masive në prag të zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për në muajin maj. //bsa//

XS
SM
MD
LG