Lidhje

Ndryshimi i rolit të misioneve paqeruajtëse të OKB-së


Negociatat mes Kombeve të Bashkuara dhe zyrtarëve sudanezë për rregullat e dislokimit të misionit paqeruajtës të Bashkimit Afrikan UNAMID, që është ngarkuar me detyrën e ndaljes së dhunës në Darfur, vazhdojnë. Operacioni pritet të jetë më masivi në historinë e misioneve paqeruajtëse të OKB-së dhe i ndryshëm nga përpjekjet e saj tradicionale paqereuajtëse. Në vazhdim një analizë e transformimit të operacioneve paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara dhe efektivitetit të tyre në botën pas Luftës së Ftohtë:

Kombet e Bashkuara e morën nën kotroll misionin paqeruajtës të Bashkimit Afrikan në Darfur që ishte në gjendje të vështirë financiare, si një hap të parë drejt formimin të një force hibride prej 20 mijë trupash. Misioni që ka mangësi në personel dhe në paisje ushtarake ka detyrën e mbrojtjes së civilëve që vuajnë pasojat e konfliktit pesëvjeçar me Kartumit dhe rebelëve të Darfurit që luftojnë për burimet natyrore kombëtare dhe pushtet politik.

Operacionet paqeruajtëse të OKB-së e kanë origjinën në vitin 1948 dhe fillimisht përbëheshin nga forca të armatosura lehtë që merreshin me menaxhimin e kufirit, apo vëzhgimin e marrëveshjeve të paqes mes shteteve. Sipas James Paul, Drejtorit Ekzekutiv të Forumit për Politikë Globale në New York që ndjek vendim-marrjen politike në Kombet e Bashkuara, fundi i Luftës së Ftohtë ishte një moment i rëndësishëm në transformimin e operacioneve paqeruajtëse. Ai thotë se në atë kohë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara filloi të përqendrohej më shumë tek konfliktet në botë.

“Në periudhën pas Luftës së Ftohtë, u vu re papritur një rritje e shpejtë e operacioneve paqeruajtëse. Ato arritën një pikë kulmore, veçanërisht përreth Kamboxhës, por më pas edhe në Ballkan dhe në Somali. Më pas pati një zhgënjim me mënyrën e funksionimit të paqeruajtjes dhe pati një rikonceptualizim të saj”.

Zhgënjimi mes vendeve anëtare të OKB-së pasoi dështimin e misionit të Somalisë në vitet 1990, një moment që shumë ekspertë e konsiderojnë një pikë kthese në operacionet paqeruajtëse. Në vitin 2000, kontributi me trupa nga vendet e zhvilluara në operacionet paqeruajtëse kishte rënë dhe ishte zëvendësuar kryesisht nga ushtarë të vendeve në zhvillim. Si rezultat disa kritikë e kanë akuzuar OKB-në se po përdor vetëm ushtarë nga vende të varfra për operacionet paqeruajtëse. Propozuesit e kësaj ideje thonë se disa rajone parapëlqejnë paqeruajtës të zonave pranë tyre në vend të atyre të huaj.

Por Jean-Marc Coicaud, kreu i Universitetit të Kombeve të Bashkuara në New York thotë se Kombet e Bashkuara marrin çdo lloj mbpështetjeje që mund të sigurojnë për operacionet paqeruajtëse.

“Kontributet për operacionet e OKB-së janë vullnetare. Pra nuk është diçka që e përcaktojnë Kombet e Bashkuara. Në vitet 1990, anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, më konkretisht Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca, ishin kontribues të rëndësishëm në operacionet paqeruajtëse, por këto kontribute u pakësuan në vitet 2000. Shumë shpesh, OKB-ja nuk është e kënaqur me gjendjen e krijuar, pasi vendet në zhvillim shpesh nuk kanë aftësitë financiare dhe logjistike për t’i dhënë mbështetje të fortë operacioneve të paqes të OKB-së”.

Rreth 40 për qind e paqeruajtësve të OKB-së vijnë nga vende si India, Pakistani, Bangladeshi, Nepali, Jordania dhe vende të tjera që shpesh nuk i kanë burimet e duhura për operacionet paqeruajtëse, përveç pjespëmarrjes me trupa. Programet paqeruajtëse funksionojnë gjithashtu me një buxhet prej pak më shumë se 7 miliardë dollarësh. Kjo është arsyeja që shpesh këto misioni dështojnë, thotë Beth Cole e Institutit të Paqes.

“Problemet fillojnë kur paqeruajtës të armatosur lehtë dislokohen në vende ku në fakt nuk ka paqe për t’u ruajtur dhe palët luftuese nuk kanë dhënë miratimin. Shembuj të tillë janë Afganistani dhe Darfuri. Ky i fundit është një shembull i përkryer ku paqeruajtësit nuk kanë aspak paisjet e duhura për të përballuar një konflikt të ashpër”.

Disa kritikë argumentojnë se misionet shtet-formuese dhe lufta kundër terrorizmit ua kanë ndryshuar drejtimin burimeve financiare dhe njerëzore nga operacionet paqeruajtëse dhe u kanë zëvendësuar ato me forcë ushtarake në situata ku përpjekjet për zhvillim do të ishin një zgjidhje më e mirë. Por James Paul i Forumit për Politika Globale thotë se OKB-ja nuk duhet fajësuar sepse shpesh i kërkohet që të kryejë punët më të vështira.

Megjithëse disa analistë thonë se rezultatet kanë qenë të përziera, shumë bien dakord se paqeruajtësit e OKB-së kanë qenë shumë efektivë. Por pavarësisht nga suksesi i përgjithshëm, disa analistë thonë se Kombet e Bashkuar duhet të heqin dorë nga eksperimentet rast pas rasti dhe forcat hibride dhe të përqendrohe tek ristrukturimi i programeve paqeruajtëse në mënyra që kanë më shumë shanse të garantojnë sukses. //ad//

XS
SM
MD
LG