Lidhje

OSBE: Zyrtarët shqiptarë të bashkëpunojnë me Inspektoriatin e Deklarimit të Pasurive


OSBE u bëri sot thirrje autoriteteve shqiptare që të çojnë përpara luftën kundër korrupsionit duke bashkëpunuar me Inspektoriatin e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Kryetari i Përfaqësisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosch, deklaroi se bashkëpunimi me këtë Inspektoriat është rruga e vetme për të patur rezultate, sepse shpesh korrupsioni, sipas tij, është një krim që lind nga indiferenca. “Përfaqësia e OSBE-së në Shqipëri e sheh deklarimin e pasurive dhe konfliktin e interesave si një mbështetje të rëndësishme për qeverinë shqiptare në përpjekjet që të përmirësojë qeverisjen, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, cështje këto që janë edhe parakushte të institucioneve euro-atlantike” – tha ai.

Qeveria shqiptare hartoi në vitin 2005 një strategji kundër korrupsionit, ku përfshihet edhe deklarimi i pasurive dhe konflikti i interesit dhe punon për ta zbatuar atë. OSBE mendon se bashkëpunimi me Inspektoriatin e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është një rrugë kryesore për të luftuar korrupsionin. “Por Inspektoriati nuk mund të punojë i izoluar. Përpjekjet e tij nuk mund të kenë sukses nëse zyrtarët publikë në të gjitha institucionet dhe nivelet nuk marrin përsipër një angazhim personal mbështetjeje” - tha ambasadori Bosch.

Qeveria veçon si një sukses të dukshëm faktin se në administraën qenerore nuk ka asnjë punonjës me konflikte interesi, megjithatë jo pak prej tyre i vonojnë deklaratat e pasurisë. Gjatë vitit 2007 Inspektoriati i Pasurive ka dënuar me gjoba 170 zyrtarë për vonesat në dorëzimin e deklaratave të pasurive, nga të cilët vetëm 50 janë të pushtetit vendor, ndërsa pjesa më e madhe I përkasin administratës qendrore. //rd//

XS
SM
MD
LG