Lidhje

SHBA: Rivalët demokratë përgatiten për votimet në Karolinën e Jugut


Kandidatët demokratë në zgjedhjet presidenciale konkurojnë te shtunën për të siguruar mbështetjen e zgjedhësve në Karolinën e Jugut. Këto janë të parat zgjedhje partiake në një shtet me një përqindje të lartë afrikano-amerikanësh, të cilët pritet të kenë ndikim të ndjeshëm mbi rezultatin:

Rivalët kryesorë demokratë u mblodhën këtë javë në Karolinën e Jugut, për të marrë pjesë në veprimtaritë me rastin e Ditës së Martin Luter Kingut në ndërtesën e Kongresit të këtij shteti në kryeqytetin, Kolumbia. Ata folën me tone të ngrohta për udhëheqësin e vrarë të të drejtave civile në një shtet ku gjendet një prej përqendrimeve më të larta në vend të afrikano-amerikanëve. Karolina e Jugut është shteti i parë jugor që zhvillon zgjedhje paraprake dhe shpesh i jep tonin votës që hedhin shtete të tjera me një numër të ndjeshëm afrikano-amerikanësh.

Skot Hafman është profesor i shkencave politike në Universitetin Wintrop në Rok Hill të Karolinës së Jugut. Ai tha se raca dhe gjinia do të jenë faktorë të rëndësishëm në ditën e zgjedhjeve. "Afrikano-amerikanët përbëjnë rreth 30 për qind të popullatës së përgjithshme të Karolinës së Jugut, por ata përfaqësojnë rreth 50 për qind të votuesve në zgjedhjet paraprake të demokratëve."

Anketat para votimeve tregojnë se Senatorja Hillary Clinton kishte një epërsi të ndjeshme në Karolinën e Jugut para zgjedhjeve në Iowa. Si ajo, ashtu edhe i shoqi, ish-Presidenti Bill Klinton kanë lidhje të forta me udhëheqësit afrikano-amerikanë në vend. Profesor Huffman thotë se mbështetja e afrikano-amerikanëve filloi të ndryshonte në Karolinën e Jugut kur Senatori Obama fitoi në Iowa, një shtet me 2 presje 5 për qind popullsi zezake. "Votuesit zezakë në Karolinën e Jugut e kuptuan se të bardhët do të votojnë për Barak Obamën. Kjo bëri që një numër përkrahësish të Hilari Klintonit të kalonin nga ana e Senator Obamës. Si rezultat epërsia e tij në radhët e votuesve zezakë ka vazhduar të rritet."

Të dyja kampet janë përpjekur të kapërcejnë dobësitë demografike. Kampi Obama dërgoi shefen e operacioneve, Betsy Myers për të zhvilluar aktivitete për të tërhequr votueset femra. Një prej tubimeve u zhvillua pranë qytetit Çarlston. Zonja Myers ka një karrierë të gjatë në punën për çështjen e gruas dhe ka qenë edhe drejtoreshë e nismave për gruan në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së Bill Klintonit. "Pjesëmarrja e grave në votime është rritur në vitet e fundit. Që nga administrata e Presidentit Regan ka pasur një hendek gjinor. Pra gratë votojnë dhe vota e tyre është me peshë. Fushata e zotit Obama është shumë e angazhuar për problemet e gruas dhe synon që zëri i tyre të dëgjohet në vendim-marrje."

Në fjalën e saj, ajo theksoi nevojën për rol udhëheqës, një çështje me rëndësi për shumë votuese të pavendosura, si Ellen Elmaleh: "Duam një udhëheqës të fortë. Nuk dua që vendi ynë të jetë i angazhuar në luftra. Dua që të përpiqemi për të arritur diçka, jo të luftojmë kundër diçkaje."

Kampi i Senatores Klinton ka sjellë disa figura të njohura në përpjekje për të mos humbur votues afrikano-amerikanë. Ligjvënësja demokrate Sheila Jackson Lee nga Teksasi: "Mendoj se Senatorja Klinton do të ishte kandidatja më e mirë presidenciale për një numër arsyesh. Është e rëndësishme të kesh përvojë me rrënjë të thella. Është e rëndësishme të jesh udhëheqës i vendosur. Por duhet t’i ndërthurësh këto veçori me ide, pasion dhe një zemër të madhe. Unë i gjej këto tek zonja Klinton dhe në rolin e saj udhëheqës."

Jo të gjithë votuesit në Karolinën e Jugut janë përqendruar në ndarjet racore dhe gjinore. Shumë, si studentja Jessica Gourdin, thjesht po përpiqen të gjejnë kandidatin më të mirë. "Dua të përqëndrohem tek çështjet e rëndësishme. Njerëzit shohin racën apo gjininë e kadidatit për të hedhur votën. Unë do t’i përmbahem çështjes bazë – kush është kandidati më i mirë."

Anketat e fundit tregojnë se Barak Obama gëzon një epërsi prej 10 pikësh mbi Hillari Klinton. Karolina e Jugut ka një numër të konsiderueshëm votuesish të pavendosur. Vetëm 1 muaj më parë, Senatorja Klinton kishte një epërsi prej 10 pikësh. Por siç mësuam pas zgjedhjeve në New Hamshire, ku Obama pritej të fitonte, por humbi përballë Hillari Clinton, anketat mund të jenë gabim. //ad//

XS
SM
MD
LG