Lidhje

Ekspozita e çokollatave në Nju Jork tërheq shumë vizitorë


Ka pak ushqime, për të cilat njerëzit kanë po aq pasion sa për çokollatat. Ato bëjnë për vete shumicën e njerëzve me shijen e tyre të mirë, aq të veçantë, madje disa prej nesh nuk mund t’i rezistojnë dot, edhe pse janë një ushqim, shpeshherë me përmbajtje të lartë sheqeri.

Çdo vit, në Nju Jork hapet ekspozita e çokollatave, e cila është konceptuar sipas modelit të “Salon du Chocolat” të Parisit. Në festival espozohen çokollata nga e gjithë bota. Tërheqja e madhe për këtë produkt kakaoje, i solli këtu këta amatorë, të cilët kanë rastin të shijojnë disa lloje çokollatash nga e gjithë bota. Ato janë të formave të ndryshme: të sheshta, në kallëpë, të rrumbullakta, të lëngshme, për t’u pirë... Madje dizenjatorët kanë krijuar edhe një formë të veçantë për të nxitur më tej fantazinë e admiruesve, një shatrivan me çokollatë.

Shijet gjithashtu, janë të ndryshme nga mbushja e tyre, arra bajame, lajthia, pije të ndryshme alkoolike, lëng frutash, fruta të mbuluara me çokollatë, biskota të mbuluara me çokollatë... dhe gjithshka që mund të nxisë imagjinatën e pasur të prodhuesve, deri veshje të modës së fundit prej çokollate.

Disa prej stilistëve më të famshëm të Nju Jorkut bashkëpunuan me firmat më të njohura të prodhimit të çokollatave për të krijuar këto rroba që po shikoni në ekspozitë.

Disa thonë se çokollata stimulon edhe dëshirën seksuale. Por ndërsa shkenca mjekësore ende nuk e ka provuar këtë, diçka është e qartë, që cilido prej këtyre vizitorëve të ekspozitës së Nju Jorkut ka një pasion të veçantë për çokollatat. Madje në anglisht ka edhe një term për admiruesit e tyre, ashtu sikurse "alkoholist", "çokoholist".//lk

XS
SM
MD
LG