Lidhje

Topi, Di Carlo nxisin zbatimin e planit Ahtisari për Kosovën


Shtetet e Bashkuara mbështesin zgjidhjen e shpejtë të statusit të Kosovës, ndërsa Prishtina dhe Tirana nënvizojnë nevojën e bashkërendimit me Uashingtonin por edhe me Brukselin për këtë çështje.

Kjo është tema kryesore e diskutuar gjatë këtyre dy ditëve në Prishtinë të cilën po e vizitojnë Zëvendësndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit Rosemary di Carlo dhe Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi.

Zonja Di Carlo e cila edhe sot mori zotimin e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi për zbatimin e planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari për pavarësi të mbikqyrur, përsëriti qëndrimin amerikan se zbatimi i këtij plani është rruga më e mirë përpara dhe statusi duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara punojnë ngushtë me partnerët evropianë jo vetëm për statusin e Kosovës por për tërë rajonin. “Ne të gjithë kemi synime të njëjta për rajonin që janë integrimet atlantike”, tha zonja Di Carlo.

Sipas saj, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk kanë dallime përsa i përket çështjes së Kosovës, statusi i së cilës duhet të zgjidhet në bazë të planit të zotit Ahtisaari.

Zbatimi i këtij plani është nxitur edhe nga presidenti i Shqipërisë Bamir Topi i cili po qëndron për një vizitë treditëshe në Kosovë. Gjatë kësaj kohe ai është shpallur doktor nderi i Universitetit të Prishtinës si dhe qytetar nderi i Prishtinës dhe i Pejës.

Presidenti Topi, bashkë me kryeministrin Hashim Thaçi shprehën sot besimin e tyre se pavarësia e Kosovës do të ndodhë shumë shpejt. “Kemi dëgjuar që t’u referohemi në funksion të kohës datave relative. Njëherë ka qenë çështje muajsh, pastaj është bërë çështje javësh, pastaj është bërë çështje ditësh, e këto ditë ju keni dëgjuar të diskutohet si referencë çështje orësh”, tha presidenti Topi.

Nërsa kryeministri Thaçi u shpreh: “Më e rëndësishmja është se tani po diskutohet vetëm për datën e pavarësisë. Ne shumë shpejtë do ta publikojmë datën e shpalljes se pavarësimit, sepse do ti kryejmë edhe obligimet tona procedurale. Prishtina shumë shpejt do ta shpallë pavarësinë dhe do të kremtoj festën e madhe”.

Si kryeministri Thaçi edhe zoti Topi thanë se të dyja vendet janë përcaktuar të jenë aleatë të vendosur të perëndimit dhe pjesë e familjes evropiane, ndërsa theksuan se bashkëpunimi ndërmjet Tiranës e Prishtinës është krejt i natyrshëm dhe askush nuk duhet t'i frikësohet. //ii

XS
SM
MD
LG