Lidhje

Bregu: Bashkëpunimi është në të mirë të shqiptarëve


Shqipëria ka përqafuar një nismë të organizatës së Kombeve të Bashkuara për reforma që synojnë të rrisin rezultatet e zhvillimit dhe të mbështesin përparësitë e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Shqipëria është një nga tetë vendet pilote të zgjedhur për programin One UN, apo Një OKB. Në këtë kuadër ndodhet për një vizitë në Nju Jork, Ministrja shqiptare e Integrimit, Majlinda Bregu me të cilën Zëri i Amerikës u lidh drejtëpërdrejt me satelit nga Nju Jorku.

Zëri i Amerikës: Duket se kohët e fundit janë ulur disi tensionet politike në Shqipëri me bashkëpunimin e ofruar nga opozita për reformën elektorale dhe atë në drejtësi. A mendoni se ky bashkëpunim do të arrijë të realizojë reformat në kohën e duhur për të marrë ftesën në takimin e Bukureshtit?

Majlinda Bregu: Bashkëpunimi midis pozitës dhe opozitës ka qënë gjithmonë një nga kërkesat kryesore të përsëritura nga ndërkombëtarët dhe kjo jo se nuk ka patur ndjeshmëri mes partive politike në Shqipëri që duhet të ketë një bashkëpunim i cili të mos jetë për hir të faktit se ka një presion nga jashtë por të jetë një bashkëpunim i cili të japë rezultate të dukshme dhe për hir të reformave dhe konsolidimit të reformave në vend. Sigurisht që lëvizjet e fundit nga krahu opozitar, miratimi i rezolutës në parlament një javë më parë që ka të bëjë pikërisht me datën më të afërt në të cilën ne presim të kemi një rezultat pozitiv, sikurse është samiti i Bukureshtit, pra marrjen e ftesës për anëtarësimin në Nato, është një lëvizje pozitive. Do të doja sigurisht që kjo lëvizje, apo ky bashkëpunim të mos ndalet me kaq sepse përveç procesit të anëtarësimit në Nato, reforma të tjera më të mëdha dhe të rëndësishme e presin vendin. Ky bashkëpunim duhet të ketë një shtrirje më të gjerë për fushat kryesore dhe për problematikat kryesore të vendit, duke respektuar gjithsesi kritikat që shoqërojnë të qënit në opozitë dhe duke shpresuar që këto kritika të jenë gjithmonë konstruktive për qeverinë. Pra shpresoj që të kemi kaluar një periudhë e cila ka sjellë më shumë probleme për qytetarët por edhe një imazh jo të mirë ndaj ndërkombëtarëve ku Shqipëria jo rrallë është paraqitur si një klasë politike me pak maturi dhe me shumë probleme. Niveli i bashkëpunimit mes pozitës dhe opozitës është plotësimi i një niveli shumë të rëndësishëm që është kriter politik. Një marrëdhënie më e mirë do t’u japë mundësi reformave që të ecin më shpejt të cilat të kenë mundësi për të qenë më të qenësishme. Reformat kryesore që ka ndërmarrë Shqipëria janë të rëndësishme jo vetëm për procesin e anëtarësimit në Nato, jo vetëm për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ato janë të rëndësishme për vetë shqiptarët.

Zëri i Amerikës: Reforma elektorale duhet të mbyllet brenda ketij viti. Ajo që po ndjek BE-ja është çështja e kartave të identitetit, në se po ecet paralelisht edhe me regjistrin e gjendjes civile, për të qënë efektive. Cilat janë problemet që po hasen në këtë proces?

Majlinda Bregu: Brenda muajit shkurt do të mbyllet regjistri i gjendjes civile të Tiranës për të vijuar pastaj edhe me qytetet e tjera të vendit. Problemi i regjistrit të gjendjes civile apo i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti është një problem i bartur që nuk e solli qeverisja e sotme dhe nuk do të ishte e lehtë për të mbërritur në një rezultat të menjëhershëm. E rëndësishme është që në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës duke zbatuar edhe të gjitha rekomandimet e OSBE, ODHIR-it, shqipëria dhe shqiptarët të kenë mundësi të plotësojnë standartet ndërkombëtare për të patur një proces zgjedhor të drejtë.

Zëri i Amerikës: Që nga 1 janari hyri në fuqi marrëveshja e lehtësimit të regjimit të vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. A ka filluar të aplikohet kjo marrëveshje dhe sa reale është ajo ndërkohë që secila nga vendet e BE-së ka të drejtë të aplikojë të regjim të vetin për qytetarët shqiptarë që kërkojnë të udhëtojnë në vendet e tyre?

Majlinda Bregu: Marrëveshja e lehtësimit të vizave ka filluar të aplikohet. Ka një direktivë të Komisionit Evropian përmes së cilës ky organ ka kërkuar dhe po mundohet të lehtësojë ato vështirësi të cilat ndeshen në fazat e para të aplikimit të një marrëveshjeje sikurse është marrëveshja e lehtësimit të vizave. Në momentin që marrëveshja do të fitojë autoritetin e plotë, pra do të krijojë një lehtësim të regjimit të vizave, ecuria dhe zbatimi i saj është shumë i rëndësishëm për një hap tjetër që është procesi i liberalizimit të plotë të vizave. Suksesi do të varet shumë nga ambasadat e vendeve anëtare. //ii

XS
SM
MD
LG