Lidhje

Ish Presidenti Clinton mbështet aktivisht fushatën e bashkëshortes


Fushata elektorale në Shtetet e Bashkuara këtë vit është e paparë në historinë e vendit: një ish zonjë e parë konkurron për postin më të lartë. Fjala është senatoren demokrate Hillary Clinton por ajo që e bën interesante garën është se bashkëshorti i saj, ish Presidenti Clinton po bën fushatë për të. Në të kaluarën ka patur raste kur babë e bir kanë qenë presidentë, por jo burrë e grua dhe ish presidenti Clinton po merr një rol gjithnjë e më të dukshëm në fushatën e bashkëshortes së tij, një rol i cili po ngjall polemika në rritje në të dyja partitë politike.

Ish Presidenti Bill Clinton ende ka fuqinë për të tërhequr turma entusiaste rrethe vetes. Dhe duke bërë fushatë për bashkëshorten e tij, zotin Clinton flet për mundësitë që i hapen vendit. Senatorja Hillary Clinton, kandidate e Partisë Demokrate mund të bëhet presidentja e parë grua. Por ai nuk e mohon se edhe rivali i saj demokrat Barack Obama mund të bëhet presidenti i parë afrikano-amerikan i vendit. "Ne po jetojmë ëndrrën amerikane, po krijojmë të nesërmen e Amerikës. Dhe duhet të jemi të lumtur për këtë," tha ish presidenti.

Por ditët e fundit zoti Clinton ka patur polemika me gazetarët.

Në shtetin New Hampshire, ai u vu në pozita sulmi, duke e vënë në pikëpyetje kundërshtimin e kandidatit Obama ndaj luftës në Irak. "Me gjithë mend e keni? Kjo është përralla më e bukur që kam dëgjuar deri tani," u shpreh ai në një rast.

Zoti Clinton u bë shkak për replika midis Senatores Clinton dhe Senatorit Obama në një debat në Karolinën e Jugut. "Kur Senatorja Clinton, dmth kur Presidenti Clinton thotë se unë nuk e kundërshtova luftën qysh në fillim, ose e quan përrallë kundështimin që unë i bëra luftës, kjo nuk është aspak e vërtetë."

Disa demokratë të rëndësishëm, si ish sekretari i punës në kohën e Presidentit Clinton, Robert Reich, po i bëjnë thirrje ish presidentit ta ulë retorikën. "Ai ndoshta po e dëmton veten, po dëmton trashëgiminë e tij dhe Partinë Demokrate e ndoshta edhe fushatën e bashkëshortes së tij."

Në një debat të fushatës së republikanëve, këtë çështje e ngriti ish guvernatori i shtetit Massachusetts Mitt Romney. "Ideja e kthimit të Bill Clintonit në Shtëpinë e Bardhë pa patur se ç’të bëjë aty është diçka që nuk mund ta përfytyroj dot, dhe as populli amerikan nuk e përfytyron dot."

Këtë javë, zoti Clinton u grind me një tjetër gazetar i cili e pyeti rreth kritikave brenda partisë demokrate. "Ata ju ushqejnë ju sepse ata e dinë se juve ju pëlqen të flisni për këto gjëra. Ju gazetarët jetoni me këto gjëra. Por kjo dëmton popullin e Karolinës së Jugut," tha zoti Clinton.

Dhe ndërsa fushata i afrohet ditës së madhe kur do të votohet njëherësh në 20 shtete, asnjëri prej Clintonëve nuk po tërhiqet. //ii

XS
SM
MD
LG