Lidhje

Rupel: BE-ja e mbështet forcimin e marrëdhënieve me Serbinë


Ministri i jashtëm i Sllovenisë Dimitrij Rupel thotë se të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Europian e mbështesin forcimin e marrëdhënieve të Serbisë me Europën.

Zoti Rupel, vendi i të cilit ka kryesinë e radhës të Bashkimit Europian, tha mbrëmë se ka rëndësi që ky sinjal t’i dërgohet popullit serb në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të zhvillohen të dielën.

Zoti Rupel i bëri komentet për gazetarët pas një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel për çështjen e marrëdhënieve me Serbinë. Ministrat ranë dakord t’i ofrojnë Beogradit një marrëveshje për bashkëpunimin politik dhe ekonomik, duke përfshirë zbutjen e kufizimeve për vizat.

Megjithatë, ata nuk arritën dot një konsensus rreth nënshkrimit të një marrëveshjeje të rëndësishme për ndihmat dhe tregtinë, e cila do ta lehtësonte kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç e vlerësoi ofertën, e cila është planifikuar për t’u nënshkruar më 7 shkurt. Por ai tha se do të jenë votuesit të cilët do të vendosin të dielën nëse kjo është është rruga që ata dëshirojnë për Serbinë.

Shumica e ministrave europianë e mbështetën nënshkrimin e marrëveshjes për Stabilizim-Asocimin me Serbinë me shpresën për të shtuar shanset e rizgjedhjes së presidentit reformist Boris Tadiç në garën kundër ultranacionalistit Tomislav Nikoliç.

Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin Olli Rehn tha se ishte i gëzuar që BE-ja po e mban derën të hapur për Serbinë.

“Tani i takon popullit serb të vendosë pa ngurrim për të kaluar nëpër këtë derë drejt Bashkimit Europian,” tha zoti Rehn.

Por ministri i jashtëm holandez Maksim Verhagen nguli këmbë se Serbia duhet që fillimisht të japë prova se po bashkëpunon me Gjykatën e Hagës duke dorëzuar personat kryesorë të akuzuar për krime, ish udhëheqësin e serbëve të Bosnjes, Radovan Karadziç dhe komandantin e tij të ushtrisë, Ratko Mladiç.

Ministrat europianë ranë dakord gjithashtu të formojnë një grup pune për ta ndihmuar Serbinë të ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim – Asocimit. //ii

XS
SM
MD
LG