Lidhje

SHBA: Prokurori i Pergjithshëm del para Komisionit Juridik të Senatit


Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, u pyet me këmbëngulje dje (1/30) nga anëtarët e Komisionit Juridik të Senatit për një teknikë kudërthënëse, kur ndaj të pandehurve simulohet mbytja me ujë. Prokurori i Përgjithshëm, Majkëll Mukejsi, refuzoi t’u përgjigjej disa pyetjeve, gjë që i irritoi disa nga anëtarët e komisionit.

Teknika është e rëndë edhe në rastin e simulimit. Disa thonë se ajo është torturë, të tjerë e justifikojnë simulimin e mbytjes si të nevojshme në luftën kundër terrorit.

Prokurori i Përgjithshëm, Majkëll Mukejsi, nuk iu përgjegj pikërisht një pyetjeje që senatorët e përsëritën disa herë.

"A jeni dakord se simulimi i mbytjes ndaj një shtetasi amerikan kudo që të jetë në botë është torturë dhe si e tillë e paligjshme”?

Apo:

"Ç’farë faktesh dhe rrethanash do ta bënin të ligjshëm simulimin e mbytjes ndaj një të burgosuri”?

Zoti Mukejsi nuk iu përgjegj pyetjeve hipotetike, duke thënë se kjo binte ndesh me sigurimin kombëtar.

"Së pari, po të imagjinoja fakte dhe rrethana të paqëna, do të përgatisja armiqtë tanë për situatat në të cilat do të ndodheshin në raste të tilla”,- tha ai.

Zoti Mukejsi u paraqit para të njejtit komision tetorin e kaluar për konfirmimin e tij në postin që mban tani. Edhe atëhere ai refuzoi të thoshte se simulimi i mbytjes është torturë. Por premtoi se do të përgjigjej në të ardhmen.

"Kërkova dhe mora autorizimin që të shprehem publikisht se simulimi i mbytjes nuk është mes teknikave të autorizuara që të përdoren në programet e CIA-s. Megjithatë të gjykoj nëse kjo teknikë është e ligjshme ose jo, e kapërcen premtimin që unë bërë para këtij komisioni”.

Kryetari i komisionit, Patrik Lihi:

"Nuk mjafton të thuhet se simulimi i mbytjes nuk është i autorizuar. Torturat dhe veprimet e palighshme nuk kanë vend të Amerikë”.

Senatori republikan, Xhef Sessions, i kërkoi Prokurorit të ri të Përgjithshëm të sqaronte disa raste kur ishte përdorur teknika e simulimit të mbytjes.

"A mund të themi se kjo teknikë që është diskutuar nuk është përdorur kurrë, nuk është përdorur nga ushtria”

"Me sa di unë." - ishte përgjigja.

"Pra nuk është pjesë e programit dhe ne nuk kemi patur raste të abusimit të të burgosurve siç është sugjetuar kaq shpesh”,- tha zoti Sessions.

Një ish drejtor i CIA-s ka pranuar se simulimi i mbytjes është përdorur nga kjo angjenci në të kaluarën, por jo nga ushtria. Megjithatë çështja nuk është mbyllur ende. Senatori republikan, Arlen Specter, synon që Senati të përcaktojë kushtet dhe kur mund të përdoret kjo taktikë e rëndë.

"Ne duhet të përcaktojmë parametrat ligjorë në se tortura mund të të justifikohet nga kushtetuta”- tha Senatori.//lk

XS
SM
MD
LG