Lidhje

Portret i poetes dhe shkrimtares amerikane Maya Angelou


Në rubrikën Portrete Amerikane ne u hedhim një vështrim amerikanëve që spikasin duke ndikuar në mënyrën e të menduarit, jetuarit dhe të vepruarit. Sot kemi zgjedhur për të sjellë para jush portretin e një poeteje, shkrimtareje, skenaristeje, profesoreje, kompozitoreje dhe interpretueseje.

Në vitin 1993, Maya Angelou ishte ftuar të drejtonte një ceremoni për ndarje çmimesh të Shoqatës Horatio Alger të Amerikanëve të Shquar. Vetë Angelou ishte nderuar në të kaluarën nga kjo shoqatë dhe gjatë mbrëmjes shpjegoi se si përzgjidheshin fituesit: "Duhet të kesh filluar nga asgjëja, asgjëja absolute, jo thjesht një pjesë e saj, por fare nga fundi. Dhe duhet që me vullnet të hekurt, punë të pandërprerë, me bekimin e Zotit, të kesh pasur fatin të jesh në momentin e duhur, në vendin e duhur, të kesh realizuar arritje të mëdha dhe pastaj të filluosh t’ia shpërblesh shoqërisë duke dhënë kontribut”.

Maya Angelou nuk do të mund ta kishte përshkruar më mirë jetën e saj. Ajo u lind në Saint Louis të Misurit në vitin 1928, dhe kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë me gjyshen e vet në fshatin e vogël Stamps të Arkansasë. Për zezakët e Jugut të Shteteve të Bashkuara, ato ishin vite të ndarjes racore dhe vuajtjesh ekonomike. E vetmja mënyrë për ta përballuar një jetë të tillë, ishte përmes rrëfenjave, këngëve dhe urtësisë popullore që transmetohej nga njëri brez në tjetrin.

Megjithëse me një rini të traumatizuar dhe punëve të njëpasnjëshme si kamarjere, kuzhiniere dhe shofere, ajo nuk e humbi kurrë pasionin për artet, duke studiuar muzikën, teatrin dhe baletin. Gjatë viteve 1950, zonja Angelou mori pjesë një një turne të operetës Porgy and Bess në 22 vende. Ajo më pas kujtonte një natë triumfi në Marok, kur të secila nga këngëtaret soliste ishte ftuar në skenë të këndonte një arie.

Por ajo këndoi një pjesë tradicionale afrikano-amerikane duke e bërë audiencën prej 4500 vetash të çohej në këmbë. “As nuk e kisha idenë se sa e fuqishme ishte kjo trashëgimi. Atë natë mendova se ata reaguan ashtu nga keqardhja për të shkuarën e historisë së skllavërisë. Por njerëzit e asaj audience nuk dinin asgjë për të shkuarën time të skllavërisë. Si shpjegohet, atëherë? Mendoj se arti i madhërishëm u takon të gjithë njerëzve, gjithmonë”.

Karriera letrare e Maya Angelou-s filloi pasi shkrimtari James Baldwin dhe miq të tjerë dëgjuan historitë e fëmijërisë së saj dhe e nxitën atë t’i shkruante. Ajo e botoi vëllimin e parë të autobiografisë së saj të titulluar “Unë e di pse këndon zogu i mbyllur në kafaz”, në vitin 1970.

Mes vëllimeve të mëpasshme ishte edhe një libër për katër vitet e qëndrimit të saj në Ganë në fillim të viteve ’60. Ajo dhe afrikano-amerikanë të tjerë kishin shkuar në Afrikë me shpresa të mëdha, në kërkim të një vendi që të mund ta quanin të vetin. Ajo ishte mrekulluar kur zbuloi sesa shumë gjurmë të ndikimit afrikan kishin mbijetuar në kulturën e zezë amerikane. Por nga ana tjetër, ajo u bind se vendi i saj ishte në Shtetet e Bashkuara: “Udhëtimi në Afrikë më krijoi ndjesinë se isha në shtëpinë time, por e zhvendosur në kohë një, dy, tre shekuj të shkuara, por edhe më bindi se Shtetet e Bashkuara ishin shtëpia ime. Ky është vendi im. Është historia jonë e përbashkët, çka e bashkon komunitetin dhe na bën të kuptojmë më mirë”.

Në Amerikë, Angelou kapi maja të tjera. Ajo vazhdoi kronikën e jetës së saj, duke botuar vëllimin e gjashtë në vitin 2002, që hyri në listën e librave më të shitur. Për shumë amerikanë, imazhi i Maya Angelous skalitur më fort në kujtesën e tyre, ishte ai i vitit 1993, kur ajo lexoi një poemë në ceremoninë e betimit të Presidentit Bill Clinton.

Vargjet e poemës “Në drithmat e mëngjesit”, vendosin forcat e pavdekshme të natyrës përballë të keqes së panatyrshme, që njerëzit i kanë shkaktuar njëri-tjetrit gjatë historisë. Por ajo e mbyll poemën me një imazh shprese dhe pajtimi, e njëjta frymë që është e mbrujtur në gjithë krijimtarinë e saj: “Në drithërimat e para të mëngjesit, Mund të gjesh fisnikërinë të shohësh lart dhe përreth, Në sytë e motrës tënde, Në sytë e vëllait tënd, Vendin tënd dhe të thuash thjesht, fare thjesht, me shpresë, Mirëmëngjes.

Më 4 prill, Maya Angelou mbush 80 vjeç. Ajo vazhdon të shkruajë dhe të japë mësim, si edhe ka zgjeruar audiencën e saj duke drejtuar një emision në radio. Ajo vazhdon aktivizmin politik dhe ka shprehur mbështetjen për kandidaten presidenciale Hillary Clinton. //rd//

XS
SM
MD
LG