Lidhje

Server mbi Kosovën e pavarur dhe njohjen e sovranitetit të saj


Shpallja e pavarësisë së Kosovës është tashmë fare pranë, shprehet analisti i njohur i çështjeve ballkanike Daniel Serwer. Ky proces do të jetë rezultat i bashkërendimit të veprimeve ndërmjet perëndimit dhe Prishtinës, dhe do të kurorëzohet, parashikon ai, me njohjen e Kosovës së pavarur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Por në mungesë të një rezolute në Këshillin e Sigurimit, prova supreme e sovranitetit të këtij shteti të ri, sigurimi i një vendi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të dojë një kohë të gjatë realizohet.

Zëri i Amerikës: Zoti Serwer, zgjedhjet presidenciale sapo përfunduan në Serbi. A ka gjasa që këto zgjedhje të kenë ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë apo jo në procesin e statusit të Kosovës? Daniel Serwer:

Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndikim në zgjidhjen përfundimtare, e cila do të jetë një sovranitet i mbikqyrur. Kjo mendoj se do të arrihet mjaft shpejt. Por mendoj se do të ketë një farë vonese, pasi komuniteti ndërkombëtar do të dojë të presë për ca kohë pas votimeve në Serbi, tani që Tadiç siguroi rizgjedhjen. Unë personalisht do të preferoja një zgjidhje përmes Këshillit të Sigurimit. Mendoj se për ta mundësuar këtë, Zoti Tadiç duhet t’i thotë kryeministrit Koshtunica që e dëshiron një gjë të tillë. Do të ishte diçka shumë pozitive, pasi një rezolutë e Këshillit të Sigurimit nuk do të kërkonte ndonjë marrëveshje nga ana e qeverisë së Serbisë, së cilës i duhet vetëm ta zbatojë atë. Megjithatë, nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Mendoj se do të bëhet një deklaratë e pavarësisë, në bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare. Parashikoj që pjesa më e madhe e BE-së dhe Shtetet e Bashkuara do ta njohin pa vonesë pavarësinë me kushtin që të mos ketë dhunë ndaj serbëve në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Kur flisni për një periudhë pritjeje pas këtyre zgjedhjeve, për sa kohë bëhet fjalë. Pra sa do të zgjasë procesi deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës?

Daniel Serwer: Nuk jam fort tifoz i idesë së një intervali të përshtatshëm pritjeje. Nuk mendoj se kjo ide ka shumë bazë. Më duket se muaji shkurt po shikohet si afat kohor. Me sa di unë, kushtetuta duhet të miratohet para shpalljes së pavarësisë. Ka shumë punë për të bërë për të vënë në zbatim planin Ahtisari. Ata individë në Kosovë, të cilët mendojnë se pavarësia është një festë e madhe, nuk duhet të harrojnë se nuk është krejt ashtu. Ky proces shoqërohet me përgjegjësi të mëdha. Shpresoj që të ketë festime të hareshme, por uroj që këto festime të jenë paqësore, dhe të mos ketë veprime kundër pakicave serbe apo të tjerëve. Më pas kosovarët duhet t’i përvishen punës. Mendoj se miku im Hashim Thaçi e kupton fare mirë se kjo është një punë serioze.

Zëri i Amerikës: Sa e vështirë është njohja ndërkombëtare e Kosovës së pavarur? Cilat janë hapat që përfshin procesi i njohjes së një shteti sovran?

Daniel Serwer: Njohja e një shteti sovran është e drejta sovrane e çdo vendi sovran. E vetmja gjë që të duhet të bësh për t’u njohur si vend sovran, është të bindësh vendet e tjera të të njohin. Kosova e ka shpallur një herë më parë pavarësinë, por askush, përveç Shqipërisë nuk njohu, pra nuk pati vlerë. Këtu çështja thelbësore nuk është pavarësia, por njohja e saj. Njohja e pavarësisë kërkon njohjen e sovranitetit, i cili nënkupton se ky shtet ka monopolin mbi mjetet e dhunës. Si rezultat, forcat e Natos, për shembull, mund të qëndrojnë në Kosovë në të ardhmen me pëlqimin e qeverisë në Prishtinë, në mungesë të një rezolute nga Këshilli i Sigurimit. Prandaj e theksoj se nga pikëpamja serbe, do të ishte në interes të tyre të kishte një rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Në mungesë të rezolutës mendoj se është plotësisht e realizueshme që të ketë një përpjekje të tillë në bashkërendim, por suksesi i saj do të varet nga trajtimi i pakicave.

Zëri i Amerikës: Përveç njohjes së Kosovës nga vende individuale sa e rëndësishme është që Kosova të ketë një vend në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe sa e mundshme është kjo brenda një kornize kohore afat-shkurtër?

Daniel Serwer: Do të më pëlqente që një gjë e tillë të realizohej. Mendoj se një vend në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është prova supreme e sovranitetit, në një farë mënyre. Pikërisht për këtë arsye, Serbia e kundërshton dhe për sa kohë që Beogradi ka në xhep veton ruse, Kosova nuk do të jetë në Asamblenë e Përgjithshme, pasi për të hyrë aty duhet të kalosh nga Këshilli i Sigurimit. Kosovës mund t’i duhet të presë gjatë. Është për të ardhur keq; është një sjellje destabilizuese, jo-konstruktive e Serbisë, por mendoj se kosovarët duhet ta pranojnë se ka shumë gjasa që të mos kenë një vend në Asamblenë e Përgjithshme për një farë kohe. //ad//

XS
SM
MD
LG