Lidhje

Majko: Ftesa për në NATO do të jetë një lamtumirë për tranzicionin shqiptar


Në Uashington ndodhet këto ditë për të marrë pjesë në Mëngjesin e Lutjeve, në përbërje të një delegacioni nga Shqipëria, zoti Pandeli Majko, tani deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Zoti Majko ishte i ftuar për një bisedë në studion e “Ditarit”.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, ju sapo keni qenë në Mëngjesin e Lutjeve këtu në Washington, ku keni marrë pjesë edhe herë të tjera. Si politikan nga Shqipëria, me ç’ndjesi dilni nga kjo ceremoni?

Pandeli Majko: Me ndjesinë e zakonshme, dmth me ftesën e miqve, në një vend ku ke vetëm miq; për fat të mirë, tanimë unë kam 10-12 vjet që vij në këtë aktivitet, që të jep mundësi të kesh kontakte me miq të rinj dhe me miq të vjetër. Duke ditur se situata është deri diku edhe parazgjedhore në SHBA, kjo është edhe një mënyrë për të kuptuar, se si do të ecin gjërat deri në zgjedhje. Sigurisht, që kjo është e vështirë për t’u kuptuar ende, por sidoqoftë, lidhjet që kemi, si me administratën kur në krye ishte zoti Klinton, po ashtu për bashkëpunimin tepër të ngushtë me administratën e republikanëve, me zotin Xhorxh Bush, ka diçka të veçantë; sepse midis miqve ke një afeksion të veçantë, normalisht diskuton edhe gjërat që kanë të bëjnë me shqetësimet e vendit tënd, dhe nga miqtë pret edhe ndihmë...

Zëri i Amerikës: T’i kthehemi pak zhvillimeve në Shhipëri. Kohët e fundit ka patur një bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës, për çështjen e reformave të integrimit. Partia socialiste ka dalë me një rezolutë, me propozime konkrete në fushën e drejtësisë. A e shikoni ju këtë frymë bashkëpunimi, si një vullnet politik afatgjatë të të dyja palëve, apo thjesht në kuadrin e përpjekjeve për anëtarësimin e vendit në NATO?

Pandeli Majko: Mendoj se çdo sjellje e kundërt e opozitës do të ishte absurde. Jemi duke kryer detyrimin tonë përballë një aksioni, i cili quhet kombëtar. Nuk është se opozita në këto momente është duke i bërë fresk qeverisë. Ne e kryejmë, sigurisht, rolin tonë. Por mendoj se është për t’u realizuar fakti, që kemi të bëjmë me një moment të ri në marrëdhëniet e klasës politike shqiptare dhe mendoj se të dyja palët e kemi kuptuar, se ftesa për NATO do të jetë në thelb edhe një lamtumirë për tranzicionin shqiptar. Do të jetë një ndarje, do të thoja mjaft pozitive për të gjithë shqiptarët. Duke hyrë në NATO, do të hyjmë në tavolinën e të barabartëve e sigurisht, standartet e familjse euroatlantike do të jenë standartet e Shqipërisë. Mendoj se të gjithë politikanët, qoftë të majtë, apo të djathtë, besoj se e kanë kuptuar se nuk bëhet fjalë për një etikë të përkohëshme, të një marrëveshjeje, apo të një pakti midis pozitës dhe opozitës, por për një detyrim, që ka të bëjë, në radhë të parë, me të gjithë ata që na kanë votuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, ju dhatë dorëheqjen nga një posti i lartë i Paratisë Socialiste, pikërisht në një periudhë polemikash në gjirin e kësaj partie; si do t’i komentonit zhvillimet aktuale në Partinë tuaj?

Pandeli Majko: Ne jemi një familje e madhe, ku zhurmat janë më se normale. Në të kundërt, do të kishte shumë pikëpyetje. Por, ndryshe nga Partia Demokratike, ne debatin e bëjmë me zë të lartë dhe mendoj që nga kjo kemi përfituar vetë në radhë të parë, ne si Parti Socialiste, por ka patur edhe një mirëkuptim nga ana e publikut shqiptar, sepse në fund të fundit, një parti që përpiqet të ndryshojë veten, këtë nuk mund ta bëjë në një qark të mbyllur, brenda një rrethi të caktuar njerëzish, por këtë do ta bëjë në një dialog normal me publikun. Sigurisht, ka patur edhe momente, kur ky lloj debati i ka tejkaluar disa caqe dhe ne kemi paguar kostot përkatëse. Por, aktualisht, mendoj që debatet edhe të natyrave të brendshme, kur je në opozitë, janë shumë më pozitive, se sa kur je në maxhorancë. Pra, jemi duke u futur në atë proces, edhe të vetëkorrigjimit të vetes, i cili është i nevojshëm, kur pas vitesh në pushtet, kalon në opozitë.

Zëri i Amerikës: Ju keni qenë Kryeministër i Shqipërisë gjatë luftës së Kosovës dhe menjëherë pas përfundimit të luftës, ishin nga njerëzit e parë që mbështetën idenë e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, që ka filluar tashmë. Ai është një projekt shumë i rëndësishëm, si për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, ashtu edhe atë të Kosovës. megjithatë, është shndërruar në një objekt polemikash midis opozitës dhe pozitës në Shqipëri. Cili është komenti juaj?

Pandeli Majko: Vështirë se mund të gjesh diçka në Shqipëri, që të jetë kryer nga qeveritë dhe të mos ketë qenë objekt i polemikave, aq më tepër kur bëhet fjalë për një nga projektet më të mëdha, të realizuar në shekullin e ri për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Mendoj që rruga, pa diskutim, madje ju siguroj se në këtë pike nuk ka debat, në se duhej të ndërtohej rruga, apo jo, është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë, jo thjesht për Kosovën, por për atë që mund ta konsiderojmë edhe me pavarësinë e Kosovës, “procesi i legalizimit të shqiptarëve në rajon”, pasi ne kemi ekzistuar si Shqipëri, kemi ekzistuar si shqiptarë të shpërndarë, gjysma brenda kufijve shtetërorë, gjysma jashtë kufijve shtetërorë, por nuk kemi ekzistuar as ekonomikisht, as politikisht si faktorë. Dhe ajo që po ndërtojmë aktualisht është infrastruktura e ardhshme, është një moment, do të thoja, qoftë për faktorizimin politik, qoftë për faktorizimin ekonomik. Dhe mendoj, që pastaj diskutimet, apo marrëdhëniet që ka ky projekt me institucione si Prokuroria, apo Kontrolli i Lartë i Shtetit, nuk mund të jetë një diskutim politik, ai është një diskutim,, që në thelb ka të bërë me disa raporte ligjore, që në thelb, në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë, nuk duhet thënë që duhet ndaluar… Mendoj që në këndvështrimin tim, por edhe në atë të kolegëve të majtë, kjo as që nuk është vënë ndonjëherë në diskutim. Rruga duhet të bëhet, dhe pastaj, çmimi i betonit, etj, ka institucione speciale që duhet të merren me këtë.

Zëri i Amerikës: Të ndalemi shkurtimisht tek aspirata e Shqipërisë për anëtarësim në NATO. Ju jeni anëtar i Komisionit të Ligjeve në Parlament dher Kryetar i Koimisionit për anëtarësimin në NATO. Për realizimin e reformës në Drejtësi, që Shqipërisë i kërkohet ta kryejë, në prag të marrjes së një ftese nga Aleanca, në ç’fazë ndodhet ligji për organizimin e drejtësisë?

Pandeli Majko: Partia Socialiste dhe këtë mund ta shpreh me kënaqësi, është orjentuar në dy plane: përsa i përket reformës në drejtësi, ne kemi ofruar atë që quhet “Pakti për drejtësinë”, nuk mendoj që reforma në drejtësi do të ketë të bëjë me një, apo me dy ligje, megjithatë, në momentin që unë u nisa për të udhëtuar në drejtim të Uashingtonit, puna në Komisionin e Ligjeve, do të thoja që ka qenë vërtet intensive dhe shumë e frytshme, aspak e politizuar, me debate, nganjëherë inatçore, por përkundrazi, në një plan absolutisht profesional dhe në anën tjetër, ne propozuam edhe paktin, i cili u miratua me konsensus në Parlament dhe që ka qenë çështja e integrimit në NATO. Dua ta nënvizoj faktin, që ne jemi duke kaluar një proces delikat dhe kjo është një nga arsyet, që pata kënaqësinë të isha së bashku me kolegun Mediu, Ministrin e Mbrojtjes, dhe me kolegë të tjerë, në të gjitha takimet që ai pati në Pentagon dhe në Departamentin e Shtetit, sepse aktualisht jemi në një moment tepër delikat, pavarësia Kosovës nga njëra anë dhe disa ndarje që ekzistojnë Brenda BE-së për këtë çështje; çështja e emrit të Maqedonisë, në krahun tjetër dhe debati që ky vend ka me Greqinë, shqetësimi është, se mund ta vendosin Shqipërinë në një moment delikat, në prag të Samitit të Bukureshtit. Pra, nuk shoh probleme të natyrave të brendshme, që të mund të bëhen pengesë në çështjen e integrimit në NATO; sigurisht, mendoj që reforma elektorake dhe ajo në drejtësi, janë tërësisht thelbësore për Shqipërinë, por në radhë të pare, janë për ata që na votojnë, pra për shqiptarët. Por në këtë moment, ajo që ne duhet të jemi të shqetësuar, është se kur do të jemi të barabartë për të biseduar në tavolinë, prandaj, e përsëris, jemi të gjithë bashkë në Uashington, për të qenë pjesë e një aksioni të përbashkët.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, ju faleminderit për intervistën.

XS
SM
MD
LG