Lidhje

Xhon Bollton: Marrëveshja e negociuar, zgjidhja më e mirë për Kosovën


Ish ambasadori amerikan në OKB John Bolton thotë se një marrëveshje e negociuar mes Prishtinës dhe Beogradit do të ishte mënyra më e mirë për ta zgjidhur çështjen e Kosovës dhe për të garantuar stabilitetin afatgjatë në rajon. Zoti Bolton thotë se nëse kjo çështje nuk zgjidhet në mënyrë të pranueshme për të gjitha palët e interesuara, mundësia e përsëritjes së konflikteve mbetet.

Zëri i Amerikës: Zoti Bolton, disa analistë thonë se pavarësia e Kosovës do të sjellë stabilitet në rajon, ndërsa të tjerë thonë të kundërtën. Cili është mendimi juaj për këtë?

John Bolton: Mendoj se asnjëra nga këto alternativa nuk është e sigurt, por mendoj se është më e rrezikshme nëse Kosova ndahet nga Serbia pa pajtimin e palëve. Ky lloj vendimi do të shkaktojë probleme në të ardhmen dhe mendoj se do të shohim se rreziku i mungesës së stabilitetit është më i madh me kalimin e kohës nëse do të ketë një shpallje të parakohshme të pavarësisë nga shqiptarët e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Negociatat nuk kanë sjellë kompromis deri tani. Çfarë të reje do të na sillnin negociata të tjera?

John Bolton: Mendoj se negociatat nuk kanë pasur rezultat sepse pala shqiptare e ka parë përfundimin që dëshironte të garantuar nga amerikanët dhe disa vende evropiane që janë shprehur se do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Duke qenë në atë pozitë, e kuptoj pse qendrimi i shqiptarëve të Kosovës ka mbetur i pandryshuar. Pra mendoj, se për të pasur një stabilitet afatgjatë mënyra më e mirë për ta zgjidhur këtë çështje është t’i futësh të dy palët në një dhomë dhe t’i thuash se nuk mund të dalin pa arritur një kompromis.

Zëri i Amerikës: Ju keni thënë se e shihni pavarësinë e Kosovës si precedent dhe jo si rast unik siç e konsiderojnë Shtetet e Bashkuara. Pse mendoni se Shtetet e Bashkuara duhet të rishikojnë politikat e tyre në lidhje me Kosovën?

John Bolton: Mendoj se çështja e Kosovës do të përdoret si precedent nga të tjerë. Megjithatë mendoj se mosmarrëveshjet territoriale duhet të zgjidhet ndërmjet palëve të interesuara. Kuptohet se ndikimi është më i madh tek njerëzit që jetojnë në atë territor, prandaj unë mendoj se një marrëveshje e negociuar do të ishte më mirë.

Zëri i Amerikës: Ju keni thënë gjithashtu se pavarësia e Kosovës do të shkaktonte një krizë në marrëdhëniet amerikano-ruse. A është Kosova me të vërtetë kaq e rëndësishme, apo Rusia thjesht po e përdor atë për të ripohuar fuqinë e saj në botë.

John Bolton: Nëse vëmë re deklaratat e fundit të zotit Putin për politikat amerikane, për sistemin e mbrojtjes nga raketat ata janë pak antagoniste. Mendoj se këto deklarata e favorizojnë pozitën e presidentit Putin në Rusi, dhe mendoj se për shkak të lidhjeve historike, përpjekja për ta shkëputur Kosovën nga Serbia, pa pajtimin e Beogradit, do t’i shërbente presidentit Putin për synimet politike që ka ai në vendin e tij. Kjo do të ndërhynte me disa çështje që Shtetet e Bashkuara duhet të zgjidhin me Rusinë. Prandaj mendoj se kjo nuk duhet të lejohet të bëhet shkas për diçka që mund të shndërrohet në një krizë mes lindjes dhe perëndimit.

Zëri i Amerikës: Pse mendoni se Kosova mund të jetë shtet jofunksional, veçanërisht nëse njihet nga SHBA dhe BE dhe integrohet në këtë të fundit dhe në NATO? A do të thotë kjo se OKB-ja nuk i ka krijuar institucionet e duhura për një shtet funksional?

John Bolton: Mendoj se një nga arsyet është se institucionet në Kosovë nuk janë aq të forta sa duhet për një shtet aq të vogël. Kjo është edhe një nga pikat për të cilat zoti Eagleburger është i bindur se duke parë historinë e rajonit, dhe nëse vazhdon ndarja e ish-Jugosllavisë në vende gjithnjë e më të vogla kjo do të inkurajonte mosmarrëveshje të tjera rreth kufinjve. Prandaj, nëse kjo nuk zgjidhet në mënyrë të pranueshme për të gjithë, mundësia e përsëritjes së konflikteve mbetet. Nga ana tjetër, nuk mendoj se OKB-ja i ka krijuar institucionet e duhura për një shtet funksional sepse ajo nuk është e mirë në këtë drejtim. Mënyra si është trajtuar kjo çështje duhet të na shërbejë si mësim për të ardhmen dhe të kuptojmë se prania e OKB-së nuk garanton rezultate të kënaqshme.

Zëri i Amerikës: Situata në Serbi është pak delikate për momentin. Pavarësisht nga fitorja e presidentit Tadic, ultranacionalisti Tomislav Nikoliç mori thuajse gjysmën e votave. Dhe ndërkohë BE-ja shtyu nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim politik me Serbinë. Kjo duket se po shkakton një krizë në spektrin politik serb. Çfarë do të thotë kjo për situatën atje?

John Bolton: Kjo tregon se vendi atje është i ndarë dhe se mund të kërcënohet vendosja e një demokracie funksionale nëse shtohet çështja e Kosovës apo integrimi i Serbisë në BE. Mendoj se kjo nuk do të favorizonte forcat pro demokracisë në Serbi dhe do të kishte ndikim negativ në vend dhe në të gjithë rajonin. Prandaj është koha të ndalemi dhe t’i rishikojmë politikat që po ndjekim.

Zëri i Amerikës: Ju jeni shprehur kundër pavarësisë së Kosovës. A besoni se Kosova mund të vazhdojë të jetë nën Serbinë pas luftës dhe krimeve që ndodhën atje dhe pas thuajse 9 vjet vetqeverisjeje de fakto?

John Bolton: Unë nuk jam kundër pavarësisë së Kosovës nëse serbët janë dakort me këtë gjë. Serbët kanë shqetësime për pakicat e tyre në territorin që do të mbetej në Kosovë, siç kanë edhe shqiptarët për pakicat e tyre në Serbi. Këto çështje mund të diskutohen. Por nga pikëpamja serbe është më e lehtë të diskutosh pavarësinë e Kosovës nëse ajo nuk u ofrohet atyre si ultimatum. Ёshtë e vështirë për politikanët serbë të thonë se kanë hequr dorë nga Kosova për shkak të një ultimatumi nga komuniteti ndërkombëtar. Nëse do të zhvilloheshin negociata dhe ata të kishin disa argumenta që do t’i ofronin si çështje në favor të Serbisë, atëherë kjo do të ishte më e lehtë për ta bindur popullin e tyre. //bsa//

XS
SM
MD
LG