Lidhje

Maqedoni: Ish punonjësit e sipërmarrjeve të falimentuara në protestë


Ish-punëtorët e sipërmarrjeve të falimentuara shtetërore bllokuan udhëkryqet kryesore para parlamentit dhe qeverisë së Maqedonisë.

Qindra protestues kërkojnë nga parlamenti që të debatojë për kërkesat e tyre që janë të sferës sociale. Por parlamenti nuk siguroi numrin e nevojshëm të votave për ta hedhur në rend dite çështjen e këtyre punëtorëve, të cilët kanë mbi njëzet e pesë vjet përvojë pune nëpër fabrika dhe kompani të tjera shtetërore të cilat kanë falimentuar dhe si pasojë mbi gjashtë mijë punëtorë kanë mbetur pa asnjë lloj të ardhurash financiare.

Deputetët e partisë VMRO-DPMNE dhe të Partisë Demokratike Shqiptare, anëtare të koalicionit qeveritar votuan kundër zhvillimit të debatit në parlament. Kjo kategori qytetarësh kërkon zgjidhjen e statusit të tyre me anë të një ligji i cili do t’u mundësonte një kompensim financiar deri në punësimin e tyre apo daljen në pension.

Partitë opozitare, por edhe Partia e Re Social Demokrate në pushtet, i mbështesin këto kërkesa. Protestuesit kanë paralajmëruar radikalizimin e veprimit të tyre, përmes bllokadave të reja. Bllokimi i sotëm i rrugëve ka shkaktuar ngadalësimin e dukshëm të trafikut në qendër të Shkupit. Policia ka penguar ardhjen me autobusë të qindra protestuevse në Shkup nga qytete të tjerë të Maqedonisë. //rd//

XS
SM
MD
LG