Lidhje

SHBA: Mike Huckabee thote se nuk do të heqë dorë nga gara


Në Shtetet e Bashkuara, ish guvernatori i shtetit Arkansas, Mike Huckabee tha se nuk do të heqë dorë nga gara për të kërkuar emërimin e Partisë Republikane. Zoti Huckabee i bëri komentet sot në Uashington, gjatë një konference të aktivistëve konservatorë.

Duke deklaruar se “nuk do të largohet”, ai u premtoi të pranishmëve se do të vazhdojë garën, megjithëse është mjaft prapa senatorit të Arizonës John McCain përsa i përket numrit të votave të delegatëve që duhet të marrë për të siguruar emërimin e partisë republikane.

Zoti McCain kryeson me epërsi të ndjeshme tani që ish rivali i tij kryesor, ish guvernatori i shtetit Masaçusets, Mit Romni e ka pezulluar garën. Senatori McCain dhe zoti Huckabee do të jenë përballë njëri-tjetrit si dhe me kongresmenin nga Teksasi, Ron Pol në garat që do të zhvillojnë të shtunën në shtetet Kansas, Luiziana dhe Uashington.

Ndërkohë, Senatorët Hillary Clinton dhe Barak Obama, në garë për të fituar emërimin e partisë demokrate për zgjedhjet presidenciale do të jenë sot përballë njëri-tjetrit në tre shtete të ndryshme me shpresën për të arritur fitore vendimtare. Senatorët Clinton dhe Obama kanë bërë fushata të vazhdueshme në Nebraska, Luiziana dhe shtetin Washington, ku do të mbahen sot zgjedhje paraprake. Ndërsa nesër do të përballen në shtetin Maine. //rd//

XS
SM
MD
LG