Lidhje

Rëndësia e votës së të rinjve ne zgjedhjet amerikane


Brezi i amerikanëve nën 30 vjeçare, që njihet edhe si “Brezi i mijëvjeçarit”, përbën një forcë në rritje në politikën amerikane. Studjuesit e çështjeve politike thonë se kjo grup-moshe kap shifrën e 50 milion amerikanëve, gati një e katërta e elektoratit të Shteteve të Bashkuara. Deri në vitin 2015, ata do të përbëjnë një të tretën e elektoratit. Ekziston mendimi se të rinjtë nuk votojnë, por kjo prirje po ndryshon.

Votuesit e rinj po marrin pjesë në numër rekord në zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Një grup i pavarur studimor thotë se pjesëmarrja e të rinjve në zgjedhjet paraprake në shumë shtete është dyfishuar e trefishuar, madje në rastin e shtetit Tenesi është katërfishuar.

Fritz Wenzel, drejtor i komunikimeve në firmën e anketimeve, Zogby International, thotë se këto shifra pasqyrojnë një valë të re të rinisë me ndjenjës e përgjegjësisë qytetare. “Ata janë plot entuziazëm. Ata e kuptojnë se çështjet e diskutuara në këtë vit zgjedhjesh janë të rëndësishme për ta dhe për të ardhmen e tyre, prandaj po luajnë rolin e tyre”. Edhe kandidatët presidencialë po përgjigjen. Ata u drejtohen drejtëpërdrejt votuesve të rinj, duke i inkurajuar ata të marrin pjesë në procesin zgjedhor. “Dua të falenderoj të rinjtë Nju Hempshër-it, që morën pjesë në zgjedhje”.

Kandidatët po përdorin faqe interneti dhe media të tjera, për të fituar mbështetjen e këtyre të rinjve. Madje ata flasin rreth shqetësimeve të të rinjve. Për shembull ky i ri e pyet kandidatin republikan Ron Paul se nëse ai zgjidhet president çfarë roli do të luajë Amerika që genocidi në Darfur të mos kthehet në një Ruandë të re.

Shoqata Studentore për Fuqizimin e Votuesve thotë se strategjitë drejtuar të rinjve kanë pasur një ndikim shumë të madh në pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet paraprake. “Vemendja e kandidatëve presidencialë nuk është përqëndruar asnjëherë më parë si këtë vit tek të rinjtë. Kandidatët presidencialë Hillary Klinton, Barak Obama, Mit Romni, Ron Paul, që të gjithë kanë në personelin e fushatës së tyre të rinj dhe kur kandidatët flasin rreth shqetësimeve të votuesve të rinj, këta të fundit angazhohen në procesin zgjedhor”.

Kandidati më popullor mes të rinjve deri tani është demokrati Barak Obama. Senatori nga Ilinoi fitoi 57 për qind të votave të demokratëve të moshës 17 deri 29 vjeçare në zgjedhjet paraprake në shtetin Ajova. Zoti Obama ka siguruar mbështetje të ngjashme në zgjedhje paraprake edhe në shtete të tjera, ku senatorja Klinton fitoi votat më të shumta në përgjithësi.

Robert Pastor, drejtor i Qendrës për Demokraci dhe Angazhim Elektoral në Universitetin Amerikan, thotë se të rinjtë janë inkurajuar nga mesazhi për ndryshime i senatorit Obama. “Ai pasqyron një brez të ri, pikpamjen rreth botës së këtij brezi, dëshirën e tij për të ndryshuar gjërat në mënyrë dramatike. Të gjitha këto janë pjesë e entuziazmit mes të rinjve për të marrë pjesë në procesin zgjedhor dhe për të votuar për senatorin Obama”. Vazhdimi i këtij angazhimi mund të jetë kyç për fitoren e presidencës nga senatori Obama ose senatorja Klinton.

Anketat e opinionit të organizatës Zogby International tregojnë se votuesit e rinj mbështesin demokratët përkundrejt republikanëve në raportin 3 me 1. //rd//

XS
SM
MD
LG