Lidhje

Koshtunica: Kosova nuk ka çmim


Kryeministri serb Vojislav Kostunica thotë se Kosova nuk ka çmim, duke shtuar se Serbia nuk do ta pranojë pavarësinë e saj në këmbim të lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Evropian.

Zoti Kostunica i tha agjencisë serbe të lajmeve Tanjug se Bashkimi Evropian veproi kundër parimeve të veta me planet për të dërguar një mision në Kosovë, ndërsa udhëheqësit e saj përgatiten të shpallin pavarësinë.

Të premten, Ministri serb për Kosovën, Slobodan Samarszic tha se Beogradi ka informacion se Kosova do të shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanshme më 17 shkurt. Udhëheqësit e Kosovës kanë thënë se do ta shpallnin pavarësinë pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi, që u mbajtën më 3 shkurt.

Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende evropiane mbështesin pavarësinë e mbikqyrur për Kosovën. Por Beogradi, me mbështetjen e Rusisë, thotë se njohja e pavarësisë së Kosovës do të shkelte ligjet ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian i ofroi Serbisë mundësinë për një marrëveshje stabilizim asociimi, që parashikon edhe lehtësimin e kufizimeve të vizave mes Serbisë dhe kësaj organizate.

Por zoti Kushtunica dhe përkrahësit e tij e bllokuan nënshkrimin e marrëveshjes javën e kaluar. Ai e quajti ofertën e BE-së një kurth që synon neutralizimin e kundërshtimit të Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës. //kk//

XS
SM
MD
LG