Lidhje

Xhon Mekejn dhe konservatorët e Partisë Republikane


Sfida që ka përpara zoti Mekejn u pa qartë para një konference vjetore të aktivistëve konservatorë në Uashington.

Konservatorët prej kohësh kanë pasur mosmarrëveshje me zotin Mekejn lidhur me kundërshtimin e tij ndaj programin e Presidentit Bush për shkurtimin e taksave dhe mbështetjen e tij për masat që do t’i hapnin rrugën shtetësisë për emigrantët e paligjshme.

Duke pasur parasysh këto mosmarrëveshje të kaluara, një drejtuese konservatore e një emisioni radiofonik Laura Ingrahm shprehu dyshime për zotin Mekejn në një fjalim në konferencën e organizatës Veprimi Politik Konservator.

“Nuk mendoj se është e mjaftueshme të thuash se i ke shërbyer revolucionit të ish-presidentit Regan. Mendoj se pyetja që duhet shtruar është se çfarë ke bërë kohët e fundir për konservatorizmin”.

Më pas senatori Mekejn u përshëndet nga po i njëjti grup me reagime të përzjera. Ai shprehu shpresën se partia Republikane do të bashkohej rreth tij si kandidati presidencial para zgjedhjeve të nëntorit.

“Shumë nga ju kanë pasur kundërshtime të forta për disa nga qëndrimet që unë kam mbajtur vitet e fundit. Unë e kuptoj këtë. Ajo që kërkoj është që çdo amerikan, qoftë konservator, i moderuar, i pavarur, madje edhe demokrat i ndërgjegjësuar të gjykojë nga gjithçka që kam realizuar unë dhe ta pranojë që unë nuk jam nga ata që bëj premtime që nuk i plotësoj për vendin tim”.

Megjithëse zoti Mekejn pothuajse e ka prekur emërimin si kandidat i partisë së tij, shumë ekspertë besojnë se nuk ka gjasa që zërat e pakënaqur të fashiten tani shpejt.

Eksperti politik Stuart Rothenberg thotë se një situatë e tillë krijon një dinamikë të çuditshme mes kandidatit të mundshëm dhe një pjesë të rëndësishme të bazës republikane.

“Kur e ke ndjekur politikën për një kohë të gjatë të krijohet përshtypja se baza republikane me të vërtetë dikton se cili është kandidati. Por tani është krijuar kjo gjendje e çuditshme, ku republikanët, konservatorët, përkrahësit e Presidentit Bush nuk ndjehen shumë entuziastë për Xhon Mekejnin”.

Zoti Rothenberg ishte i ftuar në një bisedë në emisionin “Fol me Amerikën” që transmetohet në internet, ashtu si edhe profesori i shkencave politike Brus Miroff i Universitetit Shtetëror të New Yorkut në Albani.

“Konservatorët duan që politikanët e tyre të jenë të lidhur me prirjet e tyre dhe shumë prej tyre e shohin zotin Mekejn si shumë heretik në disa çështje kryesore”.

Zoti Miroff thotë se shumë konservatorë nuk do t’ia falin kurrë zotit Mekejn që votoi në fillim kundër shkurtimit të taksave nga ana e Presidentit Bush dhe për qëndrimin tij të moderuar ndaj emigracionit.

Senatori Mekejn ka pasur gjithashtu shpesh mosmarrëveshje me konservatorët fetarë, megjithëse është përpjekur prej vitesh t’u japë atyre zgjidhje.

Ai argumenton se puna e tij në vite tregon se idetë e tij duhet të jenë tërheqëse si për konservatorët socialë, edhe ata ekonomikë, për shkak të kundërshtimit të tij të hershëm ndaj abortit dhe përpjekjeve për shkurtimin e shpenzimeve të tepruara qeveritare.

Zoti Mekejn humbi ndaj zotit Bush në garën e ashpër paraprake zgjedhore në vitin 2000. Të dy ata më pas bashkëpunuan dhe zoti Mekejn është bërë një nga përkrahësit më besnikë të presidentit për një fitore ushtarake në Irak.

Shumë konservatorë kanë rezerva për zotin Mekejn edhe për faktin se ka bashkëpunuar me demokratët liberalë për çështje si ndryshimi i klimës dhe reforma e financimit të fushatave.

Anketat e fundit tregojnë se një garë presidenciale mes Republikanit Mekejn dhe cilitdo prej kandidatëve demokratë që të fitojë, do të ishte e fortë. Sipas sondazheve zoti Mekejn ose është në të njëjtat pozita, ose ka një avantazh të lehtë ndaj senatores Hillëri Klinton, por senatori Barak Obama ka një avantazh prej disa pikësh para tij. (ze)

XS
SM
MD
LG