Lidhje

Senatori Obama mbyll një fundjavë fitoresh në garat presidenciale


Senatori Barack Obama fitoi dje në konferencat e Partisë Demokrate në shtetin Maine, duke mbyllur kështu një fundjavë fitoresh në garën presidenciale.

Dje në mbrëmje, zoti Obama kryesonte ndaj senatores Hillary Clinton, 59 me 41 për qind secili, pas numërimit të pothuajse të gjitha rezultateve nga qendrat e votimit.

Kur votimi të marrë formë përfundimtare, 24 delegatotët e Meinit për Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokrate që do të mbahet në fund të gushtit, do të ndahen sipas metodës proporcionale mes senatorëve Obama dhe Clinton.

Zoti Obama fitoi në garat zgjedhore brenda partisë të shtunën në Luiziana, Nebraska dhe shtetin e Washingtonit, si edhe në ishujt Virgin. Të katër fitoret ishin me një diferencë 20 për qind ose më lart.

Dy senatorët kanë qenë në një garë të fortë në zgjedhjet paraprake dhe konferenca partie në gjithë vendin, duke bërë fushatë për emërimin e partisë së tyre për kandidat për president në zgjedhjet e nëntorit.

Dje, zonja Clinton zëvendësoi menaxheren e fushatës së saj. Zyrtarët e fushatës thonë se këshilltarja Maggie Williams, që ka punuar prej kohësh me senatoren do të marrë këtë detyrë që deri tani e ka mbajtur Patty Solis Doyle, edhe ajo bashkëpunëtore e hershme e zonjës Clinton. //kk//

XS
SM
MD
LG