Lidhje

Rusia nuk do të ndërpresë furnizimin e Ukrainës me gaz


Në Moskë po zhvillohen bisedime të minutës së fundit mes Rusisë dhe Ukrainës, të cilat synojnë të parandalojnë ndërprerjen e furnizimit me gaz natyror.

Hollësitë e negociatave nuk janë bërë të njohura. Por firma shtetërore ruse e gazit Gazprom thotë se ka zgjatur afatin që i ka dhënë Ukrainës për nesër në mëngjes për të zgjidhur mosmarrëveshjen rreth një borxhi të madh. Kjo zgjatje prej 8 orësh do t’i japë kohë presidentit ukrainas Viktor Jushçenko të takohet me zyrtarët nesër në Moskë.

Firma Gazprom përmbush 25 përqind të nevojave të Ukrainës me gaz. Kjo firmë thotë se Kievi i ka borxh një shumë prej 1,5 miliardë dollarësh.

Sot më herët, kryeministrja ukrainase Julia Timoshenko tha se qeveria e saj do të garantojë pagesat për furnizimin me gaz nga Rusia që nga nëntori i kaluar deri në fund të shkurtit.

Megjithatë, ajo kërkoi të arrihet një marrëveshje për pagimin e borxhit të grumbulluar gjatë mandatit të paraardhësit të saj. (ze)

XS
SM
MD
LG