Lidhje

Serbët dhe e ardhmja e tyre në një Kosovë të pavarur


Banorët serbë ndërkohë, si ata në Graçanicë, janë të shqetësuar për zhvillimet që mund të sjellë e ardhmja. Udhëheqësit politikë të komunitetit serb në Kosovë parashikojnë se një pjesë e tyre mund të largohen pas shpalljes së pavarësisë dhe se kjo popullatë e zhvendosur mund të bëhet burim destabiliteti.

Banorët e Graçanicës jetojnë në këtë zonë të rrethuar nga qendra të banuara me shqiptarë me shqetësimin se nuk do të mund të jetojnë këtu shumë më gjatë pas shpalljes së pavarësisë.

Ana Andrajeviç, banore serbe e Graçanicës, thotë se ajo dhe mijëra serbë të tjerë jetojnë të izoluar në këtë fshat rreth 15 kilometra larg Prishtinës.

"Jeta jonë nuk është e njëjtë si më parë. Nuk kemi pasur jetë të mirë gjatë 8 vjetëve të fundit. Jetoj vetëm pak kilometra larg Prishtinës, por nuk kam qenë atje në këto 8 vjet. Vajza as nuk e ka parë ndonjëherë Prishtinën. Nuk ka liri lëvizjeje. Kur Kosova të marrë pavarësinë, çfarë do të bëhet me ne? Nuk kemi ku shkojmë tjetër".

I shoqi i Anës, 33-vjeçari Goran Andrajeviç pohon se jeta në Kosovë po bëhet e pamundur.

"Nuk mendoj se mund të jetoj këtu. Si mund të jetoj në një Kosovë të pavarur?

Oliver Ivanoviç, udhëheqës politik i serbëve të Kosovës, parashikon se jeta do të jetë e vështirë për banorët serbë që do të qëndrojnë në Kosovë.

"Për enklavat e vogla në Kosovë do të jetë një jetë e mjeruar. Banorët, mendoj unë, do të jenë nën trysni të vazhdueshme dhe shumë prej tyre mund të vendosin të largohen. Besoj se 10-15 për qind e serbëve do të largohen gjithsesi, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Kjo më shqetëson më tepër, pasi këta individë do të rrisin trysninë në Serbi dhe mund të destabilizojnë qeverinë aktuale në Beograd".

Megjithëse analistët nuk parashikojnë që tensionet të shkallëzohen deri në konflikte të armatosura, ata shqetësohen se nacionalistët do të mund të provokojnë akte dhune në Kosovë. Objektet kulturore dhe historike të serbëve në Kosovë rrezikohen të jenë në shenjestër të këtyre akteve. Të shtunën Kisha Ortodokse serbe paralajmëroi se po t’i njihej pavarësia Kosovës, ajo do të shndërrohej në një plagë të hapur për shumë kohë, jo vetëm për Ballkanin, por për gjithë Evropën.

Fqinjët e Kosovës, Bullgaria dhe Rumania e kundërshtojnë pavarësinë, pasi i tremben destabilizimit të Ballkanit, megjithatë Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian e mbështesin shpalljen e pavarësisë, duke argumentuar se Kosova përbën një rast unik. (ze)

XS
SM
MD
LG