Lidhje

Kanerva: Shumica e vendeve të BE do ta njohin Kosovën e pavarur


Ministri i Jashtëm i Finlandës, Ilka Kanerva thotë se shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Europian përgatiten ta njohin pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Ai u takua dje në Uashington me zyrtarë amerikanë, përfshirë Sekretaren e Shtetit, Kondolisa Rajs. Zoti Kanerva, që është edhe kryetari i radhës i Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë ishte i ftuar dje në Qendrën Udrou Uilson ku foli për rolin që OSBE-ja pritet të luajë në Kosovë.

Ministri i Jashtëm i Finlandës, Ilka Kanerva, vjen në Uashington pas një vizite në Kosovë dhe Serbi. Ai tha se komuniteti ndërkombëtar është përballë vendimeve të rëndësishme kur ka ardhur momenti që të shpallet pavarësia e Kosovës.

"Populli i Kosovës ka pritur për shumë vite realizimin e aspiratave të tij. Ne nuk duhet dhe nuk do t’i mbyllim dyert atij. Si Serbia ashtu edhe Kosova i përkasin Evropës dhe Evropa nga ana e saj duhet dhe do të kryejë përgjegjësitë e saj për ta sjellë popullin e Kosovës në rrugën e demokracisë dhe në të njejtën kohë për t’i oftuar Serbisë një shteg drejt integrimit”.

Është po aq e rëndësishme, tha zoti Kanerva që Kosova të jetë plotësisht e angazhuar të përmbushë detyrimet e saj në kuadrin e marrëveshjes për statusin, veçanërisht për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve. Bashkimi Evropian, tha ministri i Jashtëm i Finlandës Ilka Kanerva, është gati të marrë përsipër rolin udhëheqës për ndërtimin e një Kosove të aftë për t’u vetqeverisur dhe për të forcuar rolin e tij atje.

"Bashkimi Evropian është gati të ndërmarrë në Kosovë misionin e tij më të madh civil për menexhimin e krizave dhe të japë një kontribut të rëndësishëm ekonomik atje. Ky mision do të punojë për krijimin e një shoqërie civile si dhe për të përmirësuar gjendjen e pakicave në Kosovë . Finlanda do të marrë pjesë aktivisht në këtë mision, ashtu siç ka marrë pjesë edhe në K-FOR, në operacionin e NATO-s për menexhimin e krizës në Kosovë”.

Këto angazhime do të jenë të nevojshme, tha zoti Kanerva, për një kohë të konsiderueshme në të ardhmen.

Diplomatët thonë se pritet që Kosova ta shpallë pavarësinë më 17 shkurt. Qeveria e Kosovës po i bashkërendon veprimet e veta për shpalljen e pavarësisë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.

Shumica e vendeve të BE-së kanë lënë të kuptohet se do ta njohin pavarësinë e Kosovës ndërsa Qiproja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Spanja kanë thënë se do të presin për të parë se si do të zhvillohen ngjarjet.

Rusia, aleate e Serbisë, e ka bllokuar miratimin nga OKB-ja të një plani ndërkombëtar për pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës dhe disa analistë i shqetëson aftësia e Rusisë për të shkaktuar probleme lidhur me çështjen e Kosovës. //iç//

XS
SM
MD
LG