Lidhje

Kosova, një pikë e nxehtë diskutimesh mes BE-së dhe Rusisë


Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u takua sot në Slloveni me zyrtarë të Bashkimit Evropian, për bisedime rreth çështjes së Kosovës. Ai tha se nuk është shumë optimist për rezultatet e takimit urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nesër, të kërkuar nga Moska dhe Beogradi.

Mosmarrëveshjet rreth pavarësisë së Kosovës ishin në qendër të vëmendjes së takimit të Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian sot. Kosova vazhdon të jetë një pikë e nxehtë mes BE-së dhe Rusisë.

Prishtina pritet të shpallë pavarësinë nga Serbia, ndoshta që ditën e djelë. Rusia mbështet përpjekjet e Serbisë për ta mbajtur Kosovën brenda kufijve të saj, megjithëse Beogradi nuk ka pasur kontroll zyrtar mbi të që në vitin 1999.

Serbia kërkoi një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për nesër, për të diskutuar rreth shpalljes së pritshme të pavarësisë së Kosovës. Në një letër dërguar dje këshillit, ambasadori serb në OKB Pavle Jevremovic kërkoi që situata në Kosovë të konsiderohej si “tepër e rëndë.”

Shpallja e pavarësisë, shkruante zoti Jevremovic, do të përbënte shkelje të Rezolutës 1244 të OKB-së. Sot, kryeministri serb Vojislav Koshtunica tha në një deklaratë se qeveria e tij nuk do ta pranojë shpalljen e pavarësisë nga pala shqiptare. Megjithatë, shumica e vende të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara e përkrahin pavarësinë e Kosovës dhe pritet ta njohin atë menjëherë.

Një zyrtar i lartë serb tha se pavarësia do të shpallet këtë të dielë, ndërsa disa diplomatë perëndimorë besojnë se mund të ndodhë edhe të hënën, kur ministrat e jashtëm të BE-së të mblidhen në Bruksel për të diskutuar çështjen e Kosovës. Pala shqiptare nuk ka bërë të njohur ndonjë datë, megjithëse ka thënë se kjo është punë e kryer. Shqiptarët e Kosovës kanë kohë që presin ditën e shpalljes së pavarësisë.

“Kosova duhet ta shpallë pavarësinë tani....” - thotë Hyrie Deshishku nga Prishtina.

Beqir Hyseni, një tjetër banor i Kosovës pajtohet: “Ne jemi gati dhe BE-ja duhet të na përkrahë...”,-t hotë ai.

Në enklavën serbe të Gracanicës në Kosovë, ushtarët e NATO-s patrullojnë rrugët. Johan Suekon, pjesëtar i KFOR-it thotë:

“Forcat e NATOs në Kosovë janë të përgatitura për shpalljen e pritshme të pavarësisë. Mendoj se nuk do të ketë probleme, por sidoqoftë ne jemi të gatshëm për gjithçka.”

Ndërkohë, BE-ja ka thënë se misioni i tyre prej 1800 forcash do të dërgohet në Kosovë brenda pak ditësh.//lk

XS
SM
MD
LG