Lidhje

Këshilli i Sigurimit mban sot seancë urgjente për Kosovën me kërkesën e Serbisë


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mblidhet sot me kërkesën e Serbisë për seancë urgjente me dyer të mbylluar për Kosovën. Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremic do të përfaqësojë vendin e tij në një përpjekje të minutës së fundit për të penguar pavarësinë e Kosovës, që pritet të shpallet brenda disa ditësh.

Në një njoftim të Këshillit të Sigurimit thuhet se Serbia pritet të shprehë shqetësimet e saj lidhur me synimin e Kosovës për të shpallur në mënyrë të njëanshme pavarësinë. Ndërsa Rusia ka mundësi që të përsërisë pikëpamjen e saj se shpallja e njëanshme e pavarësisë nga ana e Kosovës, do të ishte shkelje e rezolutës 1244. Në njoftimin e Këshillit të Sigurimit thuhet se si Rusia, ashtu edhe Serbia pritet të vënë në pikëpyetje gjithashtu, ligjshmërinë e misionit të ri të Bashkimit Evropian që pritet të vendoset në Kosovë.

Serbia e kishte kërkuar seancën urgjente përmes një letre dërguar Presidentit të Këshillit të Sigurimit të martën, ku shprehej qëndrimi se shpallja e njëanshme e pavarësisë do të përbënte një shkelje të rezolutës 1244 dhe dhunim të tërësisë territoriale të Serbisë dhe do të vinte në rrezik ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

Rusia, nga ana e saj, në një letër ku mbështetej kërkesa e Serbisë e kërkoi takimin, për të shqyrtuar “zhvillimet e rrezikshme në Kosovë” nga “aktivitetet përgatitore” për shpalljen e njëanshme të pavarësisë.

Në njoftimin e Këshillit të Sigurimit thuhet se një nga çështjet që shtrohen është se si të trajtohet çdo lloj kërkese e Serbisë për veprim nga ana e Këshillit, ndërsa pavarësia nuk është shpallur ende.

Çështje të tjera që përmenden janë nëse duhet të ketë një rezolutë tjetër për të zëvendësuar 1244-ën, e ardhmja e misionit të UNMIK-ut dhe rreziku për dhunë të mundshme pas shpalljes së pavarësisë dhe nëse duhet bërë më shumë për t’u përgatitur për një mundësi të tillë.

Duke iu referuar veprimeve të Këshillit të Sigurimit, në njoftim thuhet se alternativa më e mundshme për momentin, është që të dëgjojë Serbinë dhe anëtarë të tjerë të Këshillit, por të presë për zhvillime të mëtejshme para se të diskutojë hapat e mëtejshme të mundshme.

Shtetet e Bashkuara dhe shumë nga vendet e Bashkimit Evropian pritet ta njohin pavarësinë.

Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs i kërkoi dje Beogradit që ta pranonte realitetin e krijuar dhe të shihte përpara. Ajo tha se Serbinë e priste integrimi më i plotë në Evropë.

Rusia, aleate e Serbisë, ka bllokuar të gjitha përpjekjet për miratimin e një rezolute mbi pavarësinë e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha dje se nuk është “optimist”, për rezultatin e seancës së sotme të Këshillit. //kk//

XS
SM
MD
LG